Fluksi i udhëtarëve në pikat e kalimit kufitar të Kosovës është shtuar gjatë orëve të pasdites, ndërsa në disa vendkalime janë krijuar kolona të gjata të automjeteve dhe pritjet arrijnë deri në katër orë.
Në dalje të pikës kufitare në Jarinjë, kolona e automjeteve është e gjatë deri në 3.5 kilometra, ndërsa pritjet për kalim arrijnë deri në katër orë. Në hyrje të kësaj pike kufitare nuk raportohet për kolona.
Situatë me pritje më të shkurtra paraqitet në Bërnjak. Në dalje të kësaj pike, kolona e automjeteve është rreth 100 metra, ndërsa pritjet zgjasin nga 10 deri në 15 minuta. Në hyrje, pritjet janë nga 20 deri në 30 minuta, pa kolona të automjeteve.
Ndërkohë, në Merdare është krijuar kolonë prej rreth dy kilometrash në dalje, ku pritjet për kalim kufitar zgjasin nga 90 deri në 120 minuta.
Në hyrje të Merdares nuk ka kolona të automjeteve, por pritjet variojnë nga 70 deri në 90 minuta.
Të dhënat janë raportuar në orën 16:25 nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
