Ja banda e Belinda Ballukut nën shënjestrën e SPAK, si po “çmontohet” rrjeti i zyrtarëve dhe ish-vartësve të saj, emrat nën hetim dhe funksionet e tyre në vendimmarrje
Goditja e Prokurorisë së Posaçme ndaj kupolës drejtuese të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë shënon nisjen e çmontimit të një prej rrjeteve më komplekse të zyrtarëve që kanë kontrolluar financat publike në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Në qendër të kësaj vorbulle ligjore qëndron ish-ministrja Belinda Balluku dhe një grup besnikësh që kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë postet kyçe në dikasteret më të rëndësishme të vendimmarrjes ekonomike, ku përfshihen rrugët, energjia dhe prokurimet strategjike. Hetimi i SPAK ka nxjerrë në pah një skemë ku hierarkia zyrtare ishte e lidhur ngushtë me përfitime të paligjshme përmes tenderave të paracaktuar, ku emri i Evis Berberit, ish-kreut të ARRSH-së, shërben si pika e nisjes për të kuptuar sesi funksiononte ky “shtet brenda shtetit”.
Goditja ndaj Evis Berberit
Që shkurtin e vitit 2024, kur oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kryen një kontroll në banesën e tij, 4 aparatet telefonike të sekuestruara aty u bënë një minierë ari për SPAK, për dosje të bujshme, përfshirë edhe atë të Ballukut. Evis Berberi i bënte screenshot të gjitha bisedave me eproren e tij, ministren e atëhershme të Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku, dhe ia dërgonte ato bashkëshortes së tij Adela Ruko. Pikërisht nga telefoni i kësaj të fundit u zbuluan bisedat më të shumta, kur Berberi dhe Balluku flisnin për paracaktimin e tenderave të ndryshëm. Edhe një hetim ndaj kryebashkiakut aktual të Shkodrës Benet Beci nisi nga komunikimet e gjetura në telefonin e bashkëshortes së Berberit apo edhe hetimet të tjera, kryesisht të lidhura me ARRSH dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Për Berberin, SPAK kërkon dënim me 10 vite burg, për disa akuza që përfshijnë pesë episode të shkeljes së barazisë në tendera, 6 raste korrupsioni pasiv dhe një episod pastrimi parash.
Erald Elezi
Pas arrestimit të Berberit, hetimi çoi tek një tjetër emër i rëndësishëm: Erald Elezi, administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Në maj të vitit 2025, SPAK e mori të pandehur për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. Elezi ishte anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në një sërë tenderash për eficiencën e energjisë elektrike, projekte që ishin financuar pjesërisht nga Bashkimi Evropian dhe emri i tij kishte dalë nga i njëjti celular, që i përkiste Ervis Berberit. Sipas hetimeve, tenderat ishin zhvilluar me mungesë konkurrence, skualifikime të pajustifikuara dhe favorizim të një grupi të vogël operatorësh të lidhur me drejtuesit teknikë të KESH-it. SPAK ka kërkuar 1.6 vite burg për shkelje të barazisë në tendera për Elezin.
Gentian Gjyli
Pas sekuestrimit të telefonit të Evis Berberit, hetuesit zbuluan komunikime që çuan në marrjen e të pandehur edhe të Gentian Gjyli, drejtor aktual i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ai akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”, në të njëjtin dosje ku përfshihet edhe Elezi. Gjyli ka qenë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në një sërë kontratash publike për mirëmbajtjen e rrugëve dhe ndërtimin e akseve strategjike, ku janë konstatuar çmime të fryra dhe devijime të kushteve kontraktuale. Për Gjylin, SPAK kërkon 1.6 vite burg për dy episode të shkeljes së barazisë në tendera, si dhe ndalim për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Ceno Klosi, ish-drejtori i Tatimeve, nën hetim për korrupsion dhe mashtrim
Një tjetër figurë që lidhet me strukturat e Ballukut është Ceno Klosi, ish-drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve. SPAK ka konfirmuar hetimin ndaj tij për “korrupsion pasiv”, “shpërdorim detyre”, “mashtrim” dhe “falsifikim dokumentesh”, mbi bazën e kallëzimeve të paraqitura nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Në dosje thuhet se Klosi dyshohet se ka ndërhyrë në disa procedura tatimore dhe kontrolle fiskale për të favorizuar subjekte që kishin lidhje me kompani të financuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës. Edhe pse ai nuk ka pasur rol të drejtpërdrejtë në tendera, lidhjet zinxhir mes institucioneve dhe kompanive të përfshira në hetim e bëjnë pjesë të skemës së gjerë që SPAK po përpiqet të dokumentojë.
Karakaçi
Nga ana tjetër, i lidhur me strukturat e Balluku dyshohet se është dhe Enea Karakaçi, ministri i ri i Energjisë dhe Infrastrukturës. Ai e merr këtë detyrë të re pasi ka drejtuar OSHEE që nga qershori i vitit 2023. Pa dhënë detaje apo sqarime të thelluara, SPAK bëri me dije se me datë 18 tetor 2025 ka ushtruar kontroll të karakterit personal ndaj Karakaçit në kohën kur ishte administrator i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. OSHE e cilësuar dhe e trajtuar prej vitesh si një hambar miliardash tenderash, pas një “lufte” të ashpër mes grupeve të interesit, përfundimisht “ra” në duart e Belinda Ballukut që emëroi aty një ndër “delfinët” e saj. Sipas porosive, Enea Karakaçi dyshohet se ka firmosur një listë të gjatë tenderash me vlerë dhjetëra milionë euro ndaj atyre që ishin “përzgjedhur”. Hetimet e hapura nga SPAK ndaj Enea Karakaçit kanë të bëjnë me disa procedura tenderimesh, por ende nuk janë bërë publike se për çilat procedura e cilat kompani janë në “lupë”. Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë zhvilluar kontrolle në zyrën dhe banesën e Drejtorit të OSHEE, Enea Karakaçi, duke sekuestruar celularë, kompjuterë, dokumente, pajisje elektronike dhe shënime personale që i shërbejnë hetimit penal. Sipas burimeve të pa konfirmuara zyrtarisht bëhet me dije se nga telefoni i Enea Karakaçit si edhe nga një “hard drive” i sekuestruar hetuesit kanë përfituar të dhëna interesante të cilat i kanë shtyrë që të zgjerohet rrethi i të hetuarve. Gjithashtu dyshohet se Karakaçi po hetohet për një aferë së bashku me një oligark të Edi Ramës për pronat e ushtrisë.
Viola Haxhiademi dhe Sindi Dushku
Në vijim të hetimeve për dosjen Balluku dhe disa bashkëpunëtorëve të saj, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontroll edhe në banesën e Viola Haxhiademit, drejtoreshës së KESH-it, që ka mbajtur postin e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës. Ajo u thirr disa ditë më parë në SPAK. Pjesë e strukturave të Ballukut është dhe Sindi Dushku, ish-shefja e kabinetit, të cilës i është kontrolluar banesa nga prokurorët specialë. Ajo është marrë edhe në pyetje nga hetuesit.
