Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja nga hetimet që Prokuroria e Posaçme (SPAK) po zhvillon ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku. Sipas saj, hetimet janë në zhvillim dhe përfshijnë verifikime të shumta mbi pasurinë, transaksionet financiare dhe personat që dyshohet se lidhen me këtë dosje. Lala tha se prokurorët kanë marrë në pyetje shumë persona, mes tyre edhe përfaqësues të biznesit. Ndërkohë janë kryer kontrolle dhe po shqyrtohen të gjitha pajisjet e sekuestruara, përfshirë kompjuterë, laptopë dhe celularë. Ajo u shpreh në një intervistë në NTV se fokusi kryesor i SPAK aktualisht është pasuria e Ballukut dhe e personave të lidhur me të. Po verifikohet nëse ka pasuri të padeklaruara, ndërsa po hetohen edhe transaksione jashtë Shqipërisë, veçanërisht shpenzime që lidhen me shkollimin e fëmijëve. Këto verifikime janë shtrirë edhe në vende të Bashkimit Europian përmes letërporosive. Një nga pikat që po tërheq më shumë vëmendje në hetim lidhet me dyshimet për një vilë në bregdetin e jugut, për të cilën flitet se është në emër të ish-futbollistit të kombëtares, Igli Tare. Sipas Lalës, prokurorët po verifikojnë marrëdhëniet financiare që mund të ekzistojnë mes palëve. Sipas gazetares, rezultatet më të plota të këtij hetimi pritet të dalin në muajin korrik, kur mbyllet afati i shtyrjes së hetimeve. Deri tani janë sekuestruar mijëra faqe dokumente, kontrata dhe pajisje elektronike, ndërsa dosja vijon të ndiqet me interes të lartë edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Klodiana Lala zbulon detajet nga hetimet e SPAK:
“Çështjet janë dinamike. Janë pyetur shumë personazhe, përfshirë njerëz të biznesit. Janë bërë kontrolle dhe po kqyren të gjitha pajisjet e sekuestruara: kompjuterë, laptopë dhe celularë. Prokurorët aktualisht janë ndalur kryesisht te pasuria e zonjës Balluku dhe personave të bashkëlidhur. Po hetohet nëse ka pasuri të fshehura dhe po verifikohen transaksionet jashtë vendit përmes letërporosive, veçanërisht shpenzimet për shkollimin e fëmijëve. Hetimi është shtrirë në vende të Bashkimit Europian. Një provë kryesore për prokurorët pritet të jetë dëshmia e një ish-futbollisti të kombëtares, në emrin e të cilit flitet për një vilë në bregdetin e jugut; po shihen marrëdhëniet financiare mes tyre. Janë hapur edhe tendera të tjerë dhe po hetohen disa kompani kryesore.
Ndaj zonjës Balluku mbeten në fuqi dy masa: ndalim i daljes jashtë shtetit dhe pezullim nga ushtrimi i funksioneve. Për ndalimin e daljes jashtë, ajo do t’i drejtohet Kushtetueses pasi Gjykata e Lartë nuk ia pranoi rekursin. Mendimi im është se zonja Balluku duhet të kishte dhënë dorëheqjen që kur u ngritën akuzat për Tunelin e Llogarasë, për t’u përballur me drejtësinë pa “mburojën” e Partisë Socialiste. Prokuroria kërkoi leje për arrestim, por mazhoranca e rrëzoi, duke dëmtuar alibinë e zotit Rama për mbështetjen e drejtësisë së re. Ka pasur diskutime nëse SPAK gaboi me strategjinë e pezullimit në vend të një akuze më të rëndë që në fillim.
Balluku ishte gruaja më e pushtetshme në PS, me portofolin më të madh të parave publike, ndaj goditja e saj ishte shumë e ndjeshme. Rezultatet e hetimit pritet t’i kemi më të plota në muajin korrik, kur përfundon afati i shtyrjes. Janë sekuestruar mijëra faqe dokumente, kontrata dhe celularë. Ne nuk dimë ende nëse ka një bashkëpunëtor të drejtësisë edhe në këtë dosje, por flitet për një ish-bashkëpunëtor që ka pranuar të rrëfehet për kërcënime të mundshme. Kjo dosje po ndiqet me interes edhe nga partnerët ndërkombëtarë dhe mazhoranca ka marrë kritika të forta në rrugën drejt BE-së.”.
