Njohësi i çështjeve politike, Shkëlqim Jakupi ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të dëgjojnë zërin e protestuesve për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe të ndërmarrin masa konkrete për përmirësimin e funksionimit të institucioneve.
Duke folur në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Jakupi ka thënë se shteti ka përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Ai ka theksuar se rastet e tilla duhet të trajtohen me profesionalizëm, duke kërkuar përmirësim të organizimit dhe funksionimit institucional, në mënyrë që të parandalohen raste të ngjashme në të ardhmen.
“Duhet institucionet përkatëse të dëgjojnë zërin e protestuesve për Arlinda Zekajn dhe të marrin masa konkrete për përmirësimin e funksionimit dhe organizimit të institucioneve, në mënyrë që rastet e ardhshme të trajtohen me profesionalizëm dhe të mbrohet jeta e qytetarit. Shteti ka përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore që ta mbrojë jetën e qytetarit”, ka deklaruar Jakupi.
Duke folur për dënimet për veprat penale të vrasjes, Jakupi ka thënë se Kodi Penal parasheh dënime nga dhjetë vjet burgim deri në burgim të përjetshëm.
Megjithatë, sipas tij, rritja e dënimeve nuk ka rezultuar domosdoshmërish e suksesshme si politikë parandaluese, pasi kryerësit e veprave penale, në momentin kur vendosin t’i kryejnë ato, nuk mendojnë për pasojat ligjore që mund t’i presin.
“Për veprat e tilla si vrasjet, dënimet më të vogla janë dhjetë vite dhe dënimet më të larta janë me burgim të përjetshëm, pavarësisht se kodet penale tash këto janë edhe çështje sociale sa i përket kodit penal dhe vendosjes së dënimeve për shkak se shkojnë barasvlershëm me shtetet e rajonit dhe të Evropës nuk kanë rezultuar si të suksesshme politikat e rritjes së dënimeve për shkak se kryesit e veprave penale në momentin e vendimmarrjes për kryerjen e veprës penale ata nuk mendojnë për vendimet që i presin për pasojat ligjore që mund t’i presin ata”, ka thënë ai.
