Një kompani pak e njohur, me lidhje me figura të afërta me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është pranë sigurimit të kontratave energjetike me vlerë mbi 1 miliard dollarë në Ballkan, sipas një investigimi të publikuar nga The Guardian.
Bëhet fjalë për AAFS Infrastructure and Energy, një kompani që po synon të marrë koncesionin për ndërtimin dhe operimin e gazsjellësit të Interkoneksionit Jugor në Bosnjë dhe Hercegovinë, projekt që synon të zëvendësojë furnizimin me gaz rus me gaz natyror të importuar nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas gazetës britanike, kompania nuk ka histori të njohur në realizimin e projekteve infrastrukturore të kësaj shkalle, por ka lidhje të drejtpërdrejta me persona të afërt me Trump.
Mes përfaqësuesve të saj janë avokati amerikan Jesse Binnall, i njohur për mbrojtjen ligjore të Trump-it dhe familjes së tij në çështje politike, si dhe Joe Flynn, vëllai i ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn.
Të dy kanë qenë të përfshirë në përpjekjet për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2020.
The Guardian shkruan se zyrtarë amerikanë u kanë bërë të qartë autoriteteve boshnjake se administrata Trump mbështet fuqishëm projektin dhe përfshirjen e AAFS-së në të.
Investigimi argumenton se rasti pasqyron një model të ri të ndërthurjes së politikës së jashtme me interesat private të njerëzve pranë administratës amerikane.
Në qendër të projektit është gazsjellësi i Interkoneksionit Jugor, një nismë që prej vitesh mbështetet nga Washingtoni për të reduktuar varësinë e Bosnjës nga gazi rus dhe ndikimin e Moskës në rajon.
Sipas dokumenteve të siguruara nga gazeta, projekti përfshin rreth 300 milionë euro investime për gazsjellësin dhe rreth 900 milionë euro të tjera për tre termocentrale, duke e çuar vlerën totale në afërsisht 1.2 miliard euro.
Një tjetër element që ka nxitur debat është fakti se legjislacioni i miratuar në Bosnjë gjatë muajit mars parashikon që AAFS të jetë kontraktori i projektit, pa një procedurë konkurruese tenderimi.
Organizata Transparency International paralajmëroi se një praktikë e tillë, në një vend me nivele të larta korrupsioni, mund të ketë “pasoja katastrofike” për projekte strategjike të kësaj natyre.
Investigimi lidh gjithashtu zhvillimet me liderin serb të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili sipas gazetës ka intensifikuar përpjekjet për të ndërtuar ura me administratën Trump.
Sipas The Guardian, pas heqjes së sanksioneve amerikane ndaj tij dhe kontakteve me figura pranë presidentit amerikan, Dodik ka sinjalizuar se nuk do të bllokojë projektin energjetik.
Për momentin, projekti mbetet në fazën e negociatave, por sipas gazetës britanike, AAFS duket më pranë se kurrë marrjes nën kontroll të një prej projekteve më të rëndësishme energjetike në Ballkanin Perëndimor.
