Lajme

Juristi nga Belgjika ‘godet’ opozitën: Bllokada për presidentin është skenar i qëllimshëm…!

Ngërçi politik në Kosovë dhe paqartësitë rreth procesit të zgjedhjes së presidentit të ri kanë rikthyer në qendër të vëmendjes përplasjet mes pushtetit dhe opozitës, duke ngritur shqetësime serioze për funksionimin normal të institucioneve shtetërore.

Pas një periudhe të tensionuar që përfshiu bllokadën e formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të vitit 2025 dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, vendi po përballet sërish me rrezikun e një krize të re politike.

Në këtë kontekst, juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, në një prononcim për “Bota sot” analizoi zhvillimet e fundit, duke e lidhur situatën aktuale me veprimet e mëhershme të opozitës dhe duke ngritur dilema mbi qëllimet reale të saj në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Fillimisht, ai kujtoi bllokadën e vitit të kaluar që partitë opozitare ia bën partisë fituese të zgjedhjeve të shkurtit 2025, LVV-së në lidhje me formimin e qeverisë së re dhe konstituimit të Kuvendtit.

Image
Skënder Musliu

“Edhe pse pas zgjedhjeve parlamentare të muajit shkurt të vitit të kaluar LVV-ja i fitoi zgjedhjet, PLAN-i vendosi ta sabotojë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Atë kohë, LVV-ja bëri disa tentativa për ta tejkaluar krizën, duke ndryshuar emrat e kandidatëve për kryeparlamentar, por edhe për kryeministër, mirëpo PLAN-i kategorikisht kishte vendosur ta bojkotojë konstituimin e institucioneve; madje nuk ndihmuan as ndërhyrjet e Gjykatës Kushtetuese. Si rrjedhojë e kësaj papërgjegjshmërie të skajshme të PLAN-it, vendi u detyrua, pa nevojë, të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, me çka shteti mbeti pa buxhet për vitin 2026, pa nënshkrimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, ndër të cilat edhe Planin për Rritje të BE-së, dhe jo vetëm”.

Ndërsa, këtë e ndërlidhi edhe me situatën e krijuar tani pak muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të djetorit 2025, derisa tani opozita po e bllokon sipas tij zgjedhjen e presidentit të ri.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat opozita i provokoi, u mbajtën më 28 dhjetor 2025, ku koalicionit të LVV-së sovrani ia dha një fitore edhe më bindëse prej 51.1%. Me këtë shumicë absolute, koalicioni i LVV-së, pa pengesa, konstituoi Kuvendin dhe formoi Qeverinë, të cilat u funksionalizuan menjëherë. Mirëpo, me kaq nuk mori fund puna destruktive dhe bllokadat antishtetërore të PLAN-it, sepse tani i erdhi radha të sabotojë zgjedhjen e presidentit, gjë që mund ta çonte përsëri vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, shtjelloi ai.

Më tej, Musliu tha se partitë opozitare nuk bën përpjekje reale për zgjedhjen e presidentit, ku me qëllim nuk propozuan kandidatët e tyre për president, pasi vlerëson se është interes i tyre politik të shkohet në zgjedhje të reja.

Në këtë pikë, përmendi edhe takimet e organizuara nga Kurti me Abdixhikun e Hamzën, të cilat nuk prodhuan asnjë rezultat.

“Karakteristikë e kësaj opozite ishte se PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, asnjëra veç e veç, nuk i kishin deputetët e mjaftueshëm për mbledhjen e nënshkrimeve për të propozuar një kandidat për president; madje opozita nuk bëri asnjë përpjekje që, bashkërisht, t’i mbledhë nënshkrimet e nevojshme dhe të propozojë një kandidat konsensual. Kjo na jep të kuptojmë se opozita nuk ishte e interesuar për zgjedhjen e presidentit, por me këmbëngulje, përmes bllokadave, synonte zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Me qëllim të evitimit të kësaj krize institucionale dhe gjetjes së një zgjidhjeje, kryeministri Kurti organizoi disa takime me lidershipin e LDK-së dhe PDK-së. Në takimin e fundit, LVV-ja e konkretizoi propozimin për LDK-në; respektivisht, kryeministri Kurti i propozoi Abdixhikut postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, tri ministri të tjera dhe postin e kryeparlamentarit. Fatkeqësisht, Abdixhiku këtë propozim të papritur dhe shumë gjeneroz e refuzoi me lehtësi. Në kushte normale, ky refuzim nuk do të kishte asnjë arsyetim, sepse LDK-ja ishte humbësi më i madh në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, dhe këtij humbësi i është bërë një ofertë joproporcionale”.

Në vazhdim,  ai kritikoi refuzimet e LDK-së dhe PDK-së, ku tregoi edhe arsyet që sipas tij, i shtyn këto parti të mos bashkëpunojnë me Kurtin, e që lidhen kryesisht për interesa personal.

“Në gjykimin tim, problemi i refuzimit qëndron krejtësisht diku tjetër, respektivisht te “rizgjedhja” e Abdixhikut dhe te mospërfshirja në kryesinë e LDK-së e disa politikanëve kontribuues, gjë që ka shkaktuar revoltë dhe pakënaqësi brenda partisë. Si rezultat i kësaj pakënaqësie, për momentin Abdixhiku nuk i kontrollon katër deputetë, për të cilët nuk i ka të sigurta votat. Sikur Abdixhiku ta pranonte propozimin e Kurtit, askush nuk do t’i garantonte se 15 deputetët e LDK-së do të votonin për presidentin. Dhe, sikur kjo të ndodhte, atëherë Abdixhiku do ta rrezikonte, madje do ta humbte lidershipin e partisë.

Sa i takon PDK-së, edhe ajo është treguar skajshmërisht e papërgjegjshme. PDK-ja i propozonte Kurtit që t’ia japë nënshkrimet e nevojshme për dy kandidatë anonimë apo “fantomë” që do t’i propozonte vetë, mirëpo pa i bërë të ditur emrat e tyre, gjë që kryeministri Kurti, me shumë arsye, e ka refuzuar”.

Nisur nga kjo, juristi nga Belgjika ‘shpërtheu’ me kritika ndaj PLAN-it, duke thënë se, kjo është opozita që dominoi, sundoi, plaçkiti dhe shkatërroi shtetin e Kosovës dhe ende synon ta bllokojë atë.

“Është inkriminuese fakti se PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, më vonë edhe Nisma, që nga formimi i Listës Serbe, mes veti kanë pasur një bashkëpunim dhe bashkërenditje të shkëlqyer, duke formuar mazhorancën parlamentare dhe qeveritë. Fatkeqësisht, opozita, në vend që ta luftojë Listën Serbe, e cila jo vetëm që nuk e njeh Kosovën si shtet, por edhe e lufton atë, LVV-në që punon për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e shtetit të së drejtës, e lufton dhe e saboton me të gjitha mjetet. Për fat të keq, kjo është opozita që dominoi, sundoi, plaçkiti dhe shkatërroi shtetin e Kosovës dhe ende po vazhdon me veprimet dhe politikat destruktive kundër rendit kushtetues, sovranitetit dhe sigurisë së shtetit, që me aq shumë sakrifica u arrit.

Edhe përkundër angazhimeve serioze të kryeministrit Kurti për të arritur një marrëveshje me opozitën, me qëllim të daljes nga kriza institucionale dhe evitimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, më në fund, Lumir Abdixhiku dhe Bedri Hamza, në mënyrë të sinkronizuar, i shpallën të pasuksesshme dhe të mbyllura bisedimet me kryeministrin Kurti rreth presidentit”.

Në fund, ai shpreson që Kurti ta propozojë si kandidat për presindet, Bashkim Jasharin, ku me këtë lëvizje politike, sipas tij do i jepte ‘goditje’ të rëndë opozitës.

“Edhe pse opozita e inkriminuar padrejtësisht e kritikoi, e baltosi dhe e fajësoi kryeministrin Kurti për bllokimin e procesit të zgjedhjes së presidentit, në fund besoj dhe shpresoj se Kurti do ta propozojë Bashkim Jasharin, me çka do t’ia fundosë të gjitha shpresat opozitës për zgjedhje të jashtëzakonshme, që aq shumë i dëshiron.

Me propozimin e Gjeneral Bashkim Jasharit, komandant i FSK-së, për president, i cili është treguar shumë i suksesshëm duke krijuar edhe lidhje të forta me ushtrinë e SHBA-së, kryeministri Kurti opozitën do ta sjellë para aktit të kryer, sepse ajo vështirë se do të mund ta refuzojë një personalitet që vjen nga familja legjendare Jashari. Në këtë mënyrë do të merrte fund papërgjegjshmëria e opozitës, e cila, pa kurrfarë turpi, për gati dy vite i mban peng institucionet e Kosovës”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

Të Ngjashme