Biznesmeni shqiptar nga Kosova, Behgjet Pacolli ka dalë me një deklaratë publike për ngjarjet që po ndodhin në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke theksuar se institucionet shqiptare po dështojnë të mbrojnë investimin e tij në jug.
Teksa ndanë një deklaratë zyrtare të Ekipit Ligjor të shoqërisë Mabco Constructions S.A, Behgjet Pacolli thotë se sot, për herë të dytë, në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po përsëritet e njëjta situatë e papranueshme dhe përgjegjës ai bën Valon Ademin.
“Rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të shoqërisë Mabco Constructions S.A., ortakut mazhoritar me 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. dhe investitorit kryesor që ka financuar dhe ndërtuar projektin me mbi 90 milionë euro investime direkte, po pengohen fizikisht të hyjnë në kantierin që ata vetë e kanë ngritur.
Nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor që ndalon hyrjen e Mabco-s ose nënkontraktorëve të saj në aeroportin që ajo ka ndërtuar me investimet e veta. Vendimi gjyqësor i pretenduar dje nga Valon Ademi dhe i shperndare ne media është ai që pezullon përkohësisht të drejtën e votës së Mabco-s në shoqëri, vendim që aktualisht ndodhet në shqyrtim në Gjykatën e Lartë”, shkruan biznesmeni.
Gjithashtu, biznesmeni thekson se nuk ka asnjë vendim gjyqësor nuk ka ndaluar hyrjen fizike të Mabco-s në kantier. Sipas Behgjet Pacollit, ky ndalim i njëanshëm dhe arbitrar është vetëgjyqësi e pastër kriminale nga ana e Valon Ademit dhe ortakut minoritar 2%, e kryer nëpërmjet administratorit të kontestuar Vegim Hoxha dhe Bujar Ejupi.
“Mabco Constructions S.A. nuk ka qenë dhe nuk është në asnjë rast nënkontraktor i shoqërisë VIA, siç tregohet qartë dhe pa asnjë dyshim në nenin 10.7 pika (iv) të Kontratës së Koncesionit. Mabco është ortaku mazhoritar, investitori kryesor, financuesi real dhe subjekti që përmbush kriteret teknike, financiare dhe operacionale mbi të cilat është dhënë vetë koncesioni.
Është detyrë ligjore e autoriteteve qeveritare dhe e Autoritetit Kontraktues (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë) të lejojnë dhe të garantojnë aksesin e lirë në hyrje dhe dalje të kantierit, sipas nenit 7.1 pika (b) dhe (c) të Kontratës së Koncesionit.
Mosveprimi i autoriteteve shtetërore ndaj këtij vendimi arbitrar të një ortaku me vetëm 2% të kuotave përbën qartazi mosplotësim të detyrimeve kontraktore nga ana e shtetit shqiptar”, vijon reagimi i shpërndarë nga Behgjet Pacolli.
Biznesmeni thekson se ekipi i tij ligjor ka njoftuar sërish dje Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për këtë situatë, që ai e konsideron të rëndë dhe për dështimin e Policisë së Vlorës që, edhe sot sipas tij, nuk po garanton rendin publik, sigurinë dhe mbrojtjen e pronës së investuar nga Mabco.
