Në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë, partitë politike po përballen me diskutime të rëndësishme rreth përbërjes së listave të kandidatëve për deputetë. Një nga çështjet kryesore mbetet nëse listat duhet të rifreskohen me figura të reja apo të vazhdohet me emrat dhe strukturat ekzistuese politike.
Rifreskimi i listave po shihet si mundësi për sjelljen e qasjeve dhe ideve të reja në përfaqësimin politik, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ndryshimet në përbërje do të ndikojnë në dinamikën e garës zgjedhore dhe në rezultatin përfundimtar të partive politike.
Në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” ka folur Driton Tali, i cili tha se është dhe ka qenë gjithmonë pro rifreskimit të listave zgjedhore.
Mirëpo, sipas tij, kandidatët e rinj për deputetë duhet të kenë një imazh të ndërtuar dhe përvojën e duhur.
“Unë gjithmonë kam qenë avokat i freskimit të listave me kuadro të rinj, por jo vetëm për hir të freskimit dhe vetëm pse janë të rinj.
Kandidatët e rinj duhet të kenë bagazh të aktivitetit “pro bono”, të kenë ndërtuar një imazh, e jo të futen anonimë vetëm pse kanë master apo doktoratë, pasi po shihet se në çfarë niveli janë masterat dhe doktoraturat dhe çfarë kuadrosh kanë prodhuar”.
Madje, Tali u ankua se në Kuvendin e Kosovës, për një numër të madh deputetësh nuk ua dimë as emrin dhe kjo, sipas tij, është shenjë se ka nevojë për kandidatë të rinj që kanë autoritet.
Megjithatë, ai kërkoi që kandidatët për deputetë të jenë persona që janë pjesë e politikës dhe jo artistë apo persona të njohur në fusha të tjera, pra që nuk kanë lidhje me politikën.
“Pra, kandidatët e rinj duhet të kenë autoritet, të njihen se kush janë, sepse ata/ato, pasi zgjidhen, nuk po japin kurrfarë kontributi. Fakti se një numri të madh deputetësh nuk ua dimë as emrin tregon nivelin. Pastaj kishim edhe ministre e ministra për të cilët kurrë s’kishim dëgjuar më parë, veç kur shefat e partive na i sollën në pozita.
Prandaj, duhet të kemi kujdes. Freskim po, por të mos futen në lista kandidatë që së pari nuk janë “qenie politike”, qofshin këngëtarë, artistë, ndërmarrës, sportistë apo mjekë, juristë e ekonomistë etj., pra ata që nuk kanë qenë “qenie politike aktive” në diskursin publik, si dhe kandidatë që kanë njohuri të kufizuara (për të mos i quajtur “analfabetë funksionalë”). Sepse Kuvendi është institucioni më i rëndësishëm i Republikës”.
Në fund, Tali tha se Kosova ka nevojë për deputetë të aftë dhe jo për deputetë pa përvojë politike, gjë që, sipas tij, e ka bërë dikur UDB-ja.
“Dikur UDB-ja na i impononte njerëzit e tillë për hesapet e veta, po tash kush?!!!
Të quhesh patriot dhe listën për kandidatë ta krijosh nga njerëz të tillë nuk shkon.
Nuk luhet me Republikën për teke personale; shumë sakrifica janë bërë për ta fituar”, përfundoi Driton Tali për “Bota sot”.
