Policia ka arrestuar sot në Jarinjë një person të dyshuar për rastin “Falsifikim i dokumenteve”.
Në një njoftim bëhet e ditur se i dyshuari me inicialet I.S., i lindur në vitin 1985, është arrestuar nga zyrtarët e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në kuadër të hetimeve lidhur me një rast të mëhershëm.
Pas arrestimit, me urdhër të prokurorit kujdestar është kryer edhe kontroll në shtëpinë e të dyshuarit në Leposaviq.
Gjatë kontrollit, policia njofton se ka sekuestruar 45 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe disa pjesë të uniformës.
Ndërkaq, në cilësinë e provave materiale lidhur me rastin e falsifikimit të dokumenteve, është sekuestruar edhe një telefon personal i tipit Redmi 5G.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në ndalim prej 48 orësh.
