Lajme

Kërkohet paraburgim ndaj dy të dyshuarve për rastin e vrasjes së imamit

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve B.H., dhe I.H., lidhur me rastin e vrasjes së imamit G.T., në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit.

Sipas Prokurorisë, rasti dyshohet se ndodhi shkaku i mosmarrëveshjeve lidhur me shfrytëzimin e një livadhi.

“Sipas kërkesës, i pandehuri B.H., më 29.06.2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.T. Sipas hetimeve të deritanishme, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet të pandehurit dhe viktimës lidhur me shfrytëzimin e një prone (livadhi). I pandehuri B.H., i ka shkaktuar viktimës lëndime me mjet të mprehtë (thikë), si pasojë e të cilave G.T., ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, me këto veprime, B.H., dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Ndërkaq, i pandehuri I.H., (babai i të pandehurit B.H.) dyshohet se, edhe pse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofrojë ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës, e cila ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën”, njofton Prokuroria.

Me këto veprime, I.H., dyshohet se ka kryer veprën penale “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të Ngjashme