Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit B.D., i cili gjendet në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3, tëKodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas kërkesës së Prokurorisë, më datë 26.08.2026, rreth orës 00:05, në Prizren, në shtëpinë e tij familjare, i dyshuari, B.D., pas një fjalosjeje me bashkëshorten e tij, viktimën me inicialet L.D., e ka sulmuar fizikisht atë, dhe e ka goditur dhe përplasur disa herë kokën e viktimës në tokë, me ç’rast ajo ka pësuar lëndime të shumta në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. Si pasojë e lëndimeve të pësuara, viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Po ashtu, pas ngjarjes B.D., ka tentuar të fshijë gjurmët e ngjarjes, dhe më pas ka njoftuar familjarët për rastin.
“Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurimin që secili person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të përgjigjet para organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftim.
