Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) do të diskutojë sot për situatën në Kosovë, në një mbledhje ku do të prezantohet raporti i ri gjashtëmujor i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Në fokus do të jenë zhvillimet politike, gjendja e sigurisë, tensionet në veri dhe mungesa e përparimit të dukshëm në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mbledhja do të mbahet në Nju Jork, duke filluar nga ora 15:00 sipas kohës lokale, përkatësisht në orën 21:00 sipas kohës së Kosovës.
Raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, i publikuar më 30 shtator, pritet ta prezantojë Peter Due, përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm dhe shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), transmeton “Bota sot”.
Dokumenti përfshin zhvillimet nga 16 marsi deri më 15 shtator 2026 dhe vlerëson situatën politike e të sigurisë, marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve qendrore dhe komuniteteve, si dhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Çfarë thotë raporti për situatën në Kosovë?
Sipas raportit, gjendja e përgjithshme e sigurisë në Kosovë ka mbetur e qëndrueshme, por situata në veri vazhdon të jetë e brishtë.
Dokumenti evidenton tensionet ndërmjet autoriteteve qendrore dhe komunave, veçanërisht në veri të vendit, ku çështjet e kompetencave komunale, rrënimet e objekteve dhe dëbimet kanë shtuar mosmarrëveshjet.
Raporti trajton gjithashtu veprimet e Policisë së Kosovës dhe pretendimet për keqtrajtim gjatë ndalimeve, duke vënë në dukje se këto zhvillime kanë ndikuar në perceptimin e pasigurisë dhe të trajtimit të pabarabartë te një pjesë e komunitetit serb.
Në dokument përmenden edhe ndërhyrjet ndaj objekteve që funksiononin në kuadër të sistemit serb, si dhe shqetësimet lidhur me simbolet fetare e kulturore.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së thekson rëndësinë e konsultimit me komunitetet joshumicë dhe respektimit të procedurave ligjore kur merren vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre.
Dialogu Kosovë-Serbi, pak përparim në zbatimin e marrëveshjeve
Një tjetër çështje e rëndësishme që pritet të diskutohet është dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Raporti evidenton se gjatë periudhës së përfshirë në dokument nuk është shënuar përparim thelbësor në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe se nuk është zhvilluar asnjë takim i nivelit të lartë mes palëve.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Peter Sørensen, ka vazhduar kontaktet me të dyja palët, ndërsa më 22 shtator, në takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, ka rikujtuar se marrëveshjet e arritura në dialog, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023, janë të detyrueshme.
BE-ja ka theksuar se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe ai drejt integrimit evropian duhet të ecin paralelisht.
Në mbledhjen e sotme, anëtarët e Këshillit të Sigurimit mund t’u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese në mirëbesim, përfshirë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe zotimin e Serbisë për të mos kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Veriu dhe çështja e institucioneve serbe
Zhvillimet në veri të Kosovës pritet të jenë një nga temat kryesore të diskutimit në Këshillin e Sigurimit.
Raporti përmend rrënimin e objekteve në pronësi të serbëve të Kosovës në zonën e Liqenit të Ujmanit, si dhe veprime të tjera në vendbanimet Rezallë dhe Megjipotok gjatë muajit shtator.
Autoritetet e Kosovës i kanë arsyetuar disa nga këto ndërhyrje me çështje pronësore dhe mbrojtjen e burimeve ujore. Megjithatë, veprimet janë kundërshtuar nga Beogradi dhe Lista Serbe, ndërsa Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin se rrënimet mund të dëmtojnë sundimin e ligjit.
Raporti trajton edhe çështjen e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, si dhe planet e KFOR-it për përshtatjen graduale të pranisë së tij në këtë zonë.
Një tjetër temë është rikthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin gjyqësor të Kosovës. Përpjekjet për riintegrimin e tyre kanë ngecur pas refuzimit të kërkesave për rikthim dhe vendimeve për shkarkimin e disa prej tyre.
Bashkimi Evropian ka ngritur shqetësime lidhur me respektimin e procedurave të rregullta dhe ndikimin e këtyre vendimeve në funksionimin e një sistemi gjyqësor shumetnik.
Banjska dhe personat e zhdukur
Në raport pritet të rikthehen në vëmendje edhe përgjegjësia për dhunën e së kaluarës dhe çështja e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Dokumenti përmend vendimin gjyqësor të 24 prillit, kur një gjykatë në Prishtinë dënoi tre serbë të Kosovës lidhur me sulmin në Banjskë të shtatorit 2023, ku u vra një polic i Kosovës.
Dy të dënuar u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa i treti me 30 vjet burgim. Serbia e ka kundërshtuar vendimin.
Disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit mund të kërkojnë që të gjithë personat përgjegjës për sulmin të përballen me drejtësinë, përfshirë të dyshuarit që vazhdojnë të jenë në arrati.
Sa u përket personave të zhdukur, raporti thekson se deri më 15 shtator 2026, 1.579 persona vazhdonin të figuronin të zhdukur në lidhje me ngjarjet e viteve 1998 dhe 1999.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të bashkëpunojnë për zbardhjen e fatit të tyre dhe që procesi të mbetet i përqendruar te nevojat humanitare të familjeve.
E ardhmja e UNMIK-ut, një tjetër çështje përplasjesh
Përveç zhvillimeve në Kosovë, në Këshillin e Sigurimit pritet të ketë diskutime edhe për të ardhmen e misionit të UNMIK-ut dhe rolin e tij në vend.
Qëndrimet e vendeve anëtare vazhdojnë të dallojnë. Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar mbylljen e misionit dhe kalimin e funksioneve të mbetura te institucione të tjera, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende të tjera kanë kërkuar rishikimin strategjik të rolit, përgjegjësive dhe financimit të tij.
Franca ka mbështetur masa për rritjen e efikasitetit të misionit, duke theksuar lidhjen e mandatit të tij me procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Në anën tjetër, Rusia dhe Kina kanë kundërshtuar shkurtimet e mëtejshme të personelit dhe financimit.
Greqia ka mbështetur vazhdimin e mandatit të UNMIK-ut për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke shprehur njëkohësisht gatishmëri për masa që mund ta bëjnë misionin më efikas.
Këto dallime pritet të ndikojnë edhe në diskutimet e sotme, megjithëse shqyrtimi i raportit nuk nënkupton domosdoshmërisht miratimin e një rezolute të re apo të një vendimi detyrues.
Mbledhja e sotme zhvillohet në një moment të rëndësishëm për Kosovën, pas zhvillimeve të fundit politike dhe formimit të institucioneve të reja. Pritet që përfaqësuesit e vendeve anëtare të paraqesin qëndrimet e tyre për situatën në vend, dialogun me Serbinë dhe rolin e bashkësisë ndërkombëtare në ruajtjen e stabilitetit.
