Ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se Ambasada e Kosovës ka marrë pjesë në Festivalin e Qytetit Minato, në prefekturën e Tokios, një ngjarje që promovon miqësinë, larminë kulturore dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve.
Sipas ambasadorit Kiçmari, festivali, i cili u mbajt gjatë dy ditëve, ishte një mundësi e veçantë për të forcuar lidhjet kulturore dhe për të promovuar vlerat e miqësisë e të mirëkuptimit të ndërsjellë.
Një nga momentet më të rëndësishme të këtij aktiviteti ishte vizita e kryetares së qytetit të Minato-s, Ai Seike, në pavijonin e Ambasadës së Kosovës. Ambasadori Kiçmari e cilësoi takimin si një moment të veçantë, që riafirmon rëndësinë e marrëdhënieve miqësore dhe të forcimit të lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.
Postim i plotë:
Forcimi i miqësisë dhe lidhjeve kulturore në qytetin Minato (Prefektura e Tokios)
Ambasada e Republikës së Kosovës mori pjesë në Festivalin e Qytetit Minato, i cili u mbajt dje dhe sot, duke festuar frymën e miqësisë, larminë kulturore dhe jetën komunitare të kësaj pjese të veçantë të Tokios.
Një nga momentet më të veçanta të festivalit ishte nderi që patëm të mirëpresim në pavijonin e Ambasadës sonë kryetaren e qytetit të Minato-s, znj. Ai Seike. Ishte kënaqësi e veçantë ta takoja dhe të ndanim së bashku një moment të ngrohtë e të paharrueshëm, që riafirmon rëndësinë e miqësisë, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe forcimit të lidhjeve ndërmjet vendeve tona.
Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për qytetin e Minato-s dhe organizatorët e festivalit për këtë organizim të bukur, që bashkon njerëzit dhe krijon mundësi për shkëmbime kulturore dhe miqësi të qëndrueshme.
Miqësia ndërmjet Kosovës dhe Japonisë!
