Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, me rastin e formimit të Qeverisë së re dhe marrjes së mandatit të ri, përcjell Bota sot.
Në letrën e tij, Radev i ka shprehur Kurtit urimet më të sinqerta, duke vlerësuar angazhimin e tij për konsolidimin e Kosovës si shtet i pavarur dhe pjesë e bashkësisë ndërkombëtare.
Kryeministri bullgar ka shprehur gjithashtu mbështetjen e qeverisë së tij për proceset integruese të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës.
“Ju siguroj për gatishmërinë e qeverisë së drejtuar prej meje për të vazhduar mbështetjen për ofrimin e një perspektive të qartë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian”, thuhet në letrën e Radevit.
Në fund të letrës, ai e ka ftuar Kurtin për një vizitë zyrtare në Bullgari, duke theksuar se një vizitë e tillë do të kontribuonte në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe ngritjen e partneritetit mes dy vendeve në një nivel më të lartë.
