Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përmbyllur me sukses Kursin për Mbrojtje të Afërt, të realizuar në kuadër të Planit të Bashkëpunimit Dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë.
Trajnimi është zhvilluar nga instruktorë të certifikuar të Policisë Ushtarake të FSK-së, në bashkëpunim me kolegët e Policisë Ushtarake Gjermane, duke mundësuar shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zbatimin e standardeve të avancuara të trajnimit.
Gjatë kursit, pjesëmarrësit iu nënshtruan një programi intensiv, me kritere të larta përzgjedhjeje dhe kërkesa të theksuara profesionale. Programi përfshiu qitjen me armë, teknikat e vetëmbrojtjes, vozitjen emergjente, taktikat e lëvizjes dhe formacionet, si dhe përgatitjen fizike e psikologjike.
Përmes ushtrimeve praktike dhe skenarëve të përshtatur me natyrën e detyrave të mbrojtjes së afërt, pjesëmarrësit patën mundësinë të zhvillojnë më tej shkathtësitë e nevojshme për reagim, koordinim dhe përmbushje efikase të përgjegjësive operacionale.
Përfundimi i këtij kursi shënon një hap të rëndësishëm në ngritjen e profesionalizmit dhe forcimin e kapaciteteve operacionale të Policisë Ushtarake të FSK-së. Njëkohësisht, bashkëpunimi me Policinë Ushtarake Gjermane pasqyron rëndësinë e partneritetit ndërkombëtar në avancimin e njohurive, shkëmbimin e përvojave dhe harmonizimin e standardeve të trajnimit.
FSK-ja vazhdon të investojë në zhvillimin profesional të personelit të saj, me synim rritjen e gatishmërisë dhe përmbushjen e detyrave në përputhje me standardet bashkëkohore të sigurisë dhe mbrojtjes.
