Lajme

“Kij kujdes, ki urdhër mbrojtës, mos thuaj çka u ba” – mesazhi i Jeton Sylajt që prokuroria e la me shënim zyrtar

Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, i kishte dërguar asaj më 21 shtator një mesazh në WhatsApp, të cilin ajo e kishte konsideruar paralajmërim. Prokurori kujdestar, Argzon Hasi, udhëzoi që rasti të procedohej me shënim zyrtar. Kjo del nga raporti i koordinatorit nacional për dhunën në familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

Sipas raportit të koordinatorit nacional, prokurorit Ersan Qavolli, më 21 shtator Arlinda Zekaj u paraqit në nënstacionin policor në Vitomiricë. Ajo deklaroi se nuk kishte qasje në shtëpinë e përbashkët, ndonëse gjykata e kishte urdhëruar Jeton Sylajn ta lejonte të kthehej në të. Ajo gjithashtu deklaroi se Jeton Sylaj kishte shkuar në Amerikë pa e ditur ajo se kujt ia kishte lënë djalin.

 “Ndër të tjera deklaronte se me datë 21.09.2026, Jetoni i kishte dërguar një mesazh në rrjetin social WhatsApp, ku ju kishte drejtuar me fjalët ‘kij kujdes, ki urdhër mbrojtës, mos thuaj çka u ba’”, thuhet në raport.

Arlinda Zekaj kishte deklaruar se Jeton Sylaj i dërgonte mesazhe që ajo i përjetonte si kërcënime.

 “Në deklarimin e saj Arlinda kishte potencuar se bashkëshorti i saj i dërgonte mesazhe të cilat përbëjnë paralajmërim dhe se kishte frikë nga mundësia e hakmarrjes.”

Sipas raportit, hetuesi policor Sead Hamzic kontaktoi prokurorin kujdestar Argzon Hasi, i cili “kishte udhëzuar që rasti të procedohet me shënim zyrtar”, ndërsa Arlinda Zekaj u udhëzua që të paraqitej të nesërmen në Qendrën për Punë Sociale.

Në të njëjtën deklaratë, ajo tha se Policia nuk e kishte kontaktuar asnjëherë për ekzekutimin e urdhrit mbrojtës të 7 shtatorit.

 “Sipas deklaratës së viktimës, e njëjta deklaron se Policia asnjëherë nuk e kishte kontaktuar të njëjtën për ekzekutimin e urdhrit mbrojtës.”

Të nesërmen, më 22 shtator, me udhëzim të prokurorëve Argzon Hasi dhe Suada Hamza, ndaj Jeton Sylajt u hap rasti 2026-DA-1274 për veprat penale “Mospërfillje e urdhrit të gjykatës” dhe “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”. Zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale konstatuan se Jeton Sylaj ishte larguar në SHBA më 5 shtator dhe se fëmijën ia kishte besuar vëllait të tij.

Koordinatori nacional nuk ka arritur të gjejë nëse ky rast ishte dërguar ndonjëherë në prokurori.

 “Lidhur me rastin 2026-DA-1274, i cili është hapur për dy vepra penale kundër Jeton Sylaj dhe atë veprat penale ‘Mospërfillja e urdhrit të Gjykatës’ dhe ‘Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës’, nuk dihet nëse ky rast është dorëzuar në prokurori, nëse jo, pse nuk është dorëzuar?!”, thuhet në raport.

Në përgjigjen e tij për kryeprokuroren e Pejës, prokurori Argzon Hasi thotë se e kishte iniciuar rastin për mospërfillje të urdhrit të gjykatës, pasi Arlinda Zekaj nuk ishte lejuar të hynte në shtëpi. Ndërsa, lidhur me çështjen e fëmijës, ai kishte udhëzuar që të kontaktoheshin prokurori për të mitur dhe Qendra për Punë Sociale.

Më 22 tetor, Jeton Sylaj u kthye në Kosovë. Tri ditë më vonë, Arlinda Zekaj u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë. I dyshuar për vrasjen është vëllai i Jeton Sylajt, Albert Sylaj.

Të Ngjashme