Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve, duke thënë se mesazhi i qytetarëve ishte i qartë dhe kërkon reflektim nga të gjitha partitë politike.
Ajo tha se mosdalja në votime është “protestë qytetare”, ndërsa shtoi se qytetarët ndëshkuan partinë që kishte 51 për qind të votave për shkak të, siç u shpreh ajo, “keqpërdorimit dhe përbuzjes së vullnetit të popullit”.
Bajrami theksoi se edhe LDK-ja duhet të reflektojë thellë për t’u rikthyer më e fortë.
Shkrimi i plotë:
Qytetarët folën. Folën fort. Të zëshëm ishin edhe ata që nuk votuan fare!
Faleminderit nga zemra të gjithë atyre që votuan LDK-në dhe na besuan. Faleminderit njerzëve tanë në struktura që punuan ditë e natë.
Mosdalja në votime është po ashtu një mesazh i qartë për secilin prej nesh. E lexoj këtë rezultat si protestë qytetare!
Abstenimi i tyre është thirrje për reflektim dhe llogaridhënie se pse erdhëm në situatën ku mbajmë zgjedhje për të shkuar përseri në zgjedhje.
Pa asnjë dyshim, shumë qytetarë ndëshkuan partinë që kishte 51 për qind, e cila e keqpërdori, përbuzi dhe nuk e zbatoi vullnetin e popullit.
Njëkohësisht, edhe neve na thanë qartë se duhet më shumë punë, më shumë seriozitet dhe më shumë përkushtim që të na shohin si zgjidhje.
Secili e ka kuptuar se tri palë zgjedhje u mbajtën jo për shkak të mospajtimeve: nëse duhet të prodhojmë apo të importojmë energji, jo sepse nuk u pajtuam për programe zhvillimore, por sepse tema qendrore u bë: kush ku do të ulet.
Përfundimisht, është koha të mendojmë përtej karrigeve.
Dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve është thirrje për reflektim sepse, nëse duam të jemi të sinqertë me veten, qartazi diku ia kemi huqur.
Lidhja Demokratike e Kosovës është më shumë se një palë zgjedhje, më shumë se një rezultat dhe më shumë se një episod politik, andaj duhet reflektim i thellë për tu rikthyer më e fortë.
Faleminderit! ✌️
