Lajme

​Komandanti i KFOR-it Vergori u takua me kreun e ushtrisë së Serbisë: Për ruajtjen e bashkëpunimit profesional

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, është takuar me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviq.

Sipas njoftimit të KFOR-it, takimi u përqendrua në ruajtjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit profesional dhe respektit të ndërsjellë.

“Dialogu konstruktiv u përqendrua në ruajtjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit profesional dhe respektit të ndërsjellë, të cilat mundësojnë komunikim transparent dhe në kohë, si dhe koordinim efektiv me Forcat e Armatosura të Serbisë”, thuhet në njoftim.

KFOR-i ka ritheksuar se mbetet i gatshëm të angazhohet me të gjitha komunitetet në Kosovë, duke përmbushur misionin e tij me profesionalizëm, paanshmëri dhe përkushtim.

Misioni i KFOR-it, siç theksohet në njoftim, vazhdon të jetë krijimi dhe ruajtja e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

Të Ngjashme