Lajme

Konjufca: Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë më pranë se kurrë

Ministri në detyrë, Glauk Konjufca, ka pritur në Prishtinë ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë.

Konjufca bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, koordinimin në politikën e jashtme, proceset euro-atlantike dhe mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Ai vlerësoi progresin e Shqipërisë drejt integrimit në BE, duke e cilësuar si arritje historike për kombin shqiptar dhe frymëzim për Kosovën në rrugën euro-integruese.

Postimi i plotë:

Sot pata kënaqësinë ta mirëpres në Prishtinë Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, mikun tim Ferit Hoxha, në vizitën e tij të parë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Kosova dhe Shqipëria nuk kanë nevojë ta ndërtojnë afërsinë mes tyre, sepse ajo buron natyrshëm nga historia, gjuha, kultura dhe interesat tona të përbashkëta kombëtare. Prandaj edhe koordinimi ynë në politikën e jashtme, në proceset euro-atlantike dhe në përballjen me sfidat e kohës është i domosdoshëm dhe i vazhdueshëm.

Në takim diskutuam për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona, për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën e Kosovës drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe për projektet strategjike që lidhin edhe më shumë qytetarët tanë dhe hapësirën tonë kombëtare.

Shqipëria po avancon me sukses drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe kjo është një arritje me rëndësi historike për gjithë kombin shqiptar. Për Kosovën, ky rrugëtim është edhe frymëzim, edhe mundësi për koordinim më të madh në procesin tonë euro-integrues.

Në një kohë sfidash globale, shtetet tona duhet të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës më shumë se kurrë, duke e forcuar rolin tonë si faktor stabiliteti, sigurie dhe orientimi euro-atlantik në rajon.

Faleminderit mikut tim Feritit për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Republikës së Kosovës.

Të Ngjashme