Lajme

Konjufca: Shqipëria të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO

Në konferencën e përbashkët me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Kosova pret mbështetjen e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Konjufca vlerësoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka qenë një hap i rëndësishëm edhe për Kosovën, ndërsa shtoi se hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të shërbente si frymëzim dhe mbështetje për aspiratat eurointegruese të Kosovës.

“Në këtë drejtim i kërkova ministrit Hoxha mbështetjen e Shqipërisë për aspiratën tonë për një afrim dhe anëtarësim më të përshpejtuar të Kosovës në NATO. Kosova ka ndërtuar dhe po forcon kapacitetet e saj të mbrojtjes në përputhje me standardet e NATO-s dhe është e gatshme të bëhet pjesë e arkitekturës së sigurisë së kësaj aleance”, tha Konjufca.

Ai theksoi se mbështetja e Shqipërisë është e rëndësishme edhe në procesin integrues evropian të Kosovës, duke kërkuar avancimin e vendit drejt marrjes së pyetësorit dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Konjufca shtoi se në takimin me Hoxhën janë diskutuar edhe çështje të bashkëpunimit rajonal, mbështetja për diasporën shqiptare, projektet infrastrukturore mes dy vendeve dhe thellimi i bashkëpunimit ndërqeveritar.

Të Ngjashme