Gazetarja Klodiana Lala tha në studion e emisionit “Kjo Javë” në “News24” se konkurset e Policisë së Shtetit deri tani ishin fiktive, ku jo vetëm institucioni ishte i zaptuar nga grupime të caktuara, por kryesisht oficerët më të aftë uleshin në detyra apo transferoheshin në periferi.
Gazetarja komentoi edhe ndryshimet në Ligjin e Policisë së Shtetit, duke e cilësuar si një nismë pozitive, pasi i jep më shumë meritokraci efektivëve, pasi problemet më të mëdha ndër vite ka qenë sistemi i gradave.
“Sistemi i gradave në Policinë e Shtetit ka qenë problematik dhe është iu rëndësishëm. Jo të gjithë mund të zgjidhen drejtorë të përgjithshëm të policisë dhe jo të gjithë mund të jenë drejtorë qarqesh. Ka një gradë të caktuar. Skandali me gradat ndoshta është ndër skandalet më të mëdha që kanë ndodhur ndër vite në Policinë e Shtetit, sepse ka zyrtarë që e kanë merituar gradën dhe nuk e kanë marrë kurrë”, deklaroi gazetarja.
Lala theksoi se fokusi duhet të jetë te meritokracia dhe vlerësimi real i punonjësve të policisë, pasi një pjesë e drejtorëve duhet të largohen, por Hitës i duhet lënë kohë për t’i bërë këto ndryshime.
Sipas gazetares, Hita duhet të që pastrojë policinë nga grupimet që e kanë “zaptuar”, ndërsa shtoi se problematike është edhe lënia e shumë prej zyrtarëve më të aftë të policisë jashtë strukturave operative dhe janë transferuar në Akademinë e Policisë.
“Unë kam qenë një zë i fortë kundër Ilir Prodës dhe besoj që koha më ka dhënë të drejtë. Patjetër që Skënder Hitaj nuk e ka pasur kohën e mjaftueshme për të shkërmoqur gjithë ato grupimet që ishin brenda Policisë së Shtetit dhe që e kishin zaptuar Policinë e Shtetit. Mendoj që ai duhet ta bëjë me dorë të hekur dhe ta kthejë Policinë e Shtetit në shinat e veta dhe të jetë në shërbim të qytetarëve. Por patjetër, disa drejtorë nuk mund të qëndrojnë në qarqe ku janë, dhe sidomos në qarqe problematike. Ka brenda Policisë së Shtetit zyrtarë policie dhe zoti Hitaj, kjo është një sfidë që unë po ia hedh publikish, duhet të jetë shumë i kujdesshëm në momentin që bën përzgjedhje të drejtorëve të rinj të policive të qarqeve”, tha Lala.
Më tej ajo shpjegoi se ka pasur ehde internime të zyrtarëve të policisë:
“Zyrtarët më të mirë të Policisë së Shtetit, nëse mund ta them u internuan dhe u dërguan në Akademinë e Policisë. Nuk e ka luksin Policia e Shtetit që një grup zyrtarësh të mirë të rrinë atje nëse mund ta themi në gjuhën e futbollit lojtarë kalibri por në stola rezervë. Pra, do të thotë që zoti Hitaj duhet të jetë shumë i vëmendshëm dhe duhet të jetë njeri i qartë dhe i prerë, dhe të mbetet larg klaneve, interesave personale apo klienteliste, dhe të zgjedhë një ekip i cili më shumë sesa i shërben një gjëje të caktuar, i shërben opinionit publik shqiptar”, tha ajo.
Sipas Lalës, kur Ilir Proda drejtonte Policinë e Shtetit, sistemi i konkurseve për drejtuesit ishte formal dhe jo real. Ajo shtoi se ndryshimet ligjore ishin të domosdoshme për të rikthyer kontrollin mbi strukturat e policisë, pas situatës së trashëguar nga drejtuesit e mëparshëm.
Një nga ndryshimet më të debatueshme është heqja e konkursit për drejtorët e policisë në qarqe, propozim i bërë nga një deputet i Partisë Socialiste.
“Kur zoti Hitaj erdhi si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, ju kam thënë që e vetmja mundësi që ai të ketë një polici të cilën normalisht mund ta vërë në shërbim të qytetarit, është që të ketë njerëzit më të aftë, të cilët kanë ardhur si drejtorë të policisë apo në krye të kupolës së policisë përmes meritokracisë dhe gradave të merituara. Kështu që, në këtë aspekt, e vetmja mundësi që ai të kishte kontroll mbi policinë në gjendjen që kishte lënë paraardhësi i tij, zoti Proda, ishte pikërisht të kishte ndryshime ligjore. Dhe në atë kohë kam sugjeruar këtë gjë, pa e ditur në fakt që do të kishte edhe një propozim për ndryshime ligjore”, tha ajo.
Më tej nënvizoi se:
“Proda u zgjodh Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit përmes një konkursi, më pas hyri konkursi për të gjitha funksionet e tjera, siç janë drejtorët e policisë, shefat e departamenteve apo të tjera me radhë. Në rastin konkret, në propozimin e fundit që ka bërë një deputet i PS heq konkursin për drejtorët e policisë së qarqeve. Teorikisht, konkursi është gjë e mirë sepse mendohet që është një garë e hapur ku individë hyjnë në një garë, kanë një platformë, prioritete dhe në fund fare të kësaj gare ka edhe një produkt”.
Por Lala i cilësoi konkurset më shumë se fiktive, pasi vështirësoheshin edhe vendimet për lëvizje drejtorësh.
“Në rastin konkret, në Policinë e Shtetit nuk kishte konkurse ishte e gjitha fiktive. Kur një drejtor zgjidhej përmes konkursit, automatikisht nëse nuk përmbushte detyrën, ishte shumë e vështirë për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për ta larguar nga pozicioni që kishte dhe për të sjellë një frymë të re, sepse mbetej peng i burokracive. Hitaj, në momentin që do të hyjë ky ligj në fuqi do të ketë mundësinë të bëjë lëvizje në drejtoritë e qarqeve”, u shpreh ajo.
