Lajme

Kontrollet 24 orë në pikën kufitare të Hani të Elezit, Dogana tregon çfarë po kontrollohet

Zyrtarët doganorë në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit janë të përkushtuar në kryerjen e kontrolleve të vazhdueshme, në çdo orë të ditës dhe të natës, me qëllim mbrojtjen e kufirit dhe zbatimin e legjislacionit doganor në fuqi.

Puna e tyre përfshin kontrolle të rregullta dhe të detajuara të automjeteve dhe udhëtarëve, me fokus në identifikimin dhe parandalimin e tentativave për kontrabandim të mallrave, si dhe zbulimin e mallrave të ndaluara apo të rrezikshme për qytetarët.

Kontrolle të veçanta kryhen edhe në autobusë, ku zyrtarët doganorë verifikojnë bagazhet dhe mallrat e transportuara, si dhe kontrollojnë nëse ka mjete monetare apo mallra që duhet të deklarohen apo që janë të ndaluara sipas legjislacionit në fuqi.
Në kuadër të punës së tyre, zyrtarët doganorë realizojnë gjithashtu kontrolle fizike dhe dokumentare të kamionëve në hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës. Këto kontrolle kanë për qëllim verifikimin e dokumentacionit, përputhshmërinë e mallrave me deklarimet doganore dhe respektimin e kërkesave ligjore për qarkullimin e mallrave.

Përmes kontrolleve të vazhdueshme dhe bashkëpunimit institucional, Dogana e Kosovës kontribuon në parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme, mbrojtjen e qytetarëve dhe sigurimin e një procesi të rregullt dhe të ligjshëm të qarkullimit të personave dhe mallrave nëpër pikat kufitare.

Zyrtarët doganorë mbeten të përkushtuar në mbrojtjen e kufirit, zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve, duke i informuar ata për detyrimet dhe të drejtat që burojnë nga legjislacioni doganor.

Të Ngjashme