Kosova, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina mbeten pa fonde nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, ka bërë të ditur komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Samitin e Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, që u mbajt të premten në Pallatin e Brigadave në Tiranë.
Sipas Kos-it, këto tri vende nuk i kanë përmbushur reformat e kërkuara për të përfituar nga paketa financiare e BE-së. Ajo iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se formimi i institucioneve të reja është rast për një fillim të ri.
“Në Kosovë, i dashur Albin, Qeveria e re është gjithashtu mundësi e re për të pasur një fokus të ri për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. Kjo është një mundësi për të arritur reforma dhe për të marrë më shumë fonde”, tha Kos.
Ajo njoftoi se në fillim të dhjetorit do ta vizitojë Kosovën, për të biseduar për hapat e mëtejshëm drejt integrimit evropian dhe për qasjen në fondet e BE-së.
Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut marrin më shumë
Në anën tjetër, sipas Kos-it, Shqipëria ka zbatuar 80 për qind të reformave të parapara dhe do të përfitojë 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes. Shqipëria dhe Mali i Zi do të marrin 15 për qind më shumë fonde, ndërsa Maqedonia e Veriut 10 për qind më shumë.
Për Serbinë, Kos tha se deri tani nuk ka përfituar fonde nga Plani i Rritjes, por se kjo mund të ndryshojë me qeverinë e re në Beograd.
Kos u bëri thirrje vendeve të rajonit që ta shfrytëzojnë vitin e fundit të zbatimit të Planit të Rritjes për të përshpejtuar reformat.
Kurti: Kosova e ka fituar statusin me meritë
Pas pjesëmarrjes në samit, kryeministri Kurti deklaroi se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se avancimi i këtij procesi tani është urgjent. Ai bëri të ditur se me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me përfaqësuesit e vendeve të rajonit dhe me komisioneren Kos është diskutuar për reformat dhe për integrimin gradual në Tregun e Vetëm Evropian.
Edhe dy ditë më parë, në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Kurti kishte kërkuar që Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit, duke theksuar se Republika e Kosovës është i vetmi vend i rajonit që ka aplikuar për anëtarësim, por ende nuk e ka këtë status.
“Nuk po kërkojmë favore, por njohjen e përparimit të Kosovës, të zhvillimit demokratik, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe luftës kundër korrupsionit”, kishte thënë Kurti në Bruksel.
