Lajme

“Kosova ka nevojë për një President që bashkon, jo që ndan”

Në rrethanat aktuale politike, Kosova nuk ka nevojë vetëm për një kandidat që i plotëson kushtet kushtetuese për President, por për një figurë që mund të shërbejë si pikë bashkimi dhe mirëkuptimi ndërmjet subjekteve politike dhe qytetarëve, vlerëson Nijazi Halili.

Sipas tij, kandidati ideal për President të Kosovës duhet të jetë një personalitet me integritet të lartë moral e profesional, me përvojë shtetërore, i respektuar në vend dhe i besueshëm edhe për partnerët ndërkombëtarë.

“Mbi të gjitha, duhet të jetë një figurë që nuk identifikohet fuqishëm me konfliktet partiake dhe që mund ta ushtrojë funksionin e Presidentit si institucion mbi palët”, shprehet Halili për ‘Bota sot’.

Ai thekson se Kosova ka nevojë për një President që bashkon e jo që ndan, që dialogon e jo që përplaset dhe që përfaqëson shtetin e jo një parti politike.

Image
Nijazi Halili

“Do të ishte shumë më e dobishme që partitë politike të mos nisen nga pyetja ‘kush është kandidati ynë?’, por nga pyetja ‘cili është personi që mund ta rikthejë besimin dhe stabilitetin institucional?’”, deklaron Halili.

Halili thotë se çështja nuk duhet të reduktohet domosdoshmërisht në një emër të vetëm. Sipas tij, nëse ekziston një personalitet jashtë strukturave të drejtpërdrejta partiake dhe që gëzon respekt të gjerë shoqëror, pikërisht aty duhet kërkuar zgjidhja.

“Nuk do ta reduktoja këtë çështje domosdoshmërisht në një emër të vetëm. Nëse një personalitet i tillë ekziston jashtë strukturave të drejtpërdrejta partiake dhe gëzon respekt të gjerë shoqëror, mendoj se pikërisht aty duhet kërkuar zgjidhja”, thotë ai.

Sipas Halilit, një President konsensual do të ishte, në rrethanat aktuale, më i vlefshëm për Kosovën sesa një President që zgjidhet vetëm përmes një shumice të ngushtë politike.

“Në fund të fundit, kjo krizë nuk është vetëm krizë për zgjedhjen e një Presidenti; është një provë e pjekurisë politike të institucioneve dhe liderëve të Kosovës. Prandaj, të gjitha partitë duhet të bëjnë një hap prapa nga interesat e ngushta partiake dhe një hap përpara drejt interesit të shtetit”, përfundon Halili.

Të Ngjashme