Lajme

Kosova kërkon sqarime nga qeveria e Somalisë për zhdukjen e nëntë anëtarëve të delegacionit zyrtar në Prishtinë

Kosova i ka kërkuar zyrtarisht qeverisë së Somalisë të japë sqarime lidhur me vendndodhjen dhe sigurinë e nëntë anëtarëve të një delegacioni zyrtar somalez, të cilët janë larguar nga akomodimi i tyre në Prishtinë pas mbërritjes në vend në fund të muajit tetor, raporton mediumi somalez Garoewonline.

Në një letër diplomatike të datës 30 tetor 2026, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka shprehur shqetësim serioz për rrethanat e largimit të nëntë personave, duke theksuar se ende nuk ka konfirmim zyrtar për vendndodhjen, gjendjen e tyre shëndetësore apo nëse janë larguar nga territori i Kosovës.

Komunikata diplomatike, e lëshuar në formën e një note verbale me numër reference 4868-561/26, i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Somalisë.

Sipas dokumentit, delegacioni somalez kishte mbërritur në Kosovë më 25 tetor 2026, në orën 19:45, me një fluturim të kompanisë Turkish Airlines. Delegacioni udhëhiqej nga Said Mohamed Mohamud, ministër i Shtetit për Punët Publike, Banimin dhe Rindërtimin, si dhe Fartuun Abdikadir Farah, zëvendësministre e Porteve, të shoqëruar nga përfaqësues dhe anëtarë të tjerë.

Sipas informatave të regjistruara nga Protokolli Shtetëror i Kosovës, nëntë persona që shoqëronin delegacionin janë bërë objekt i kërkesës për sqarim.

Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur se më 28 tetor, gjatë përgatitjeve për programin e paraparë të delegacionit dhe transferimin e tij drejt aeroportit, Protokolli Shtetëror ishte njoftuar se nëntë personat kishin liruar akomodimin e tyre në hotelin Dua Village më 27 tetor, rreth orës 19:10.

Ata thuhet se ishin larguar pa njoftuar paraprakisht autoritetet përgjegjëse për përcjelljen dhe koordinimin e qëndrimit të delegacionit në Kosovë.

Informacionet preliminare sugjeronin se nëntë personat ishin larguar në mënyrë të pavarur nga akomodimi dhe mund të kishin udhëtuar drejt një destinacioni tjetër jashtë Kosovës. Megjithatë, ministria theksoi se këto të dhëna nuk përbënin konfirmim për vendndodhjen e tyre dhe as nuk dëshmonin se ata e kishin braktisur realisht territorin e Kosovës.

Protokolli Shtetëror i Kosovës kishte tentuar të merrte informacione përmes përfaqësuesve të delegacionit, por deri në përgatitjen e komunikatës diplomatike nuk kishte marrë përgjigje konkrete.

Dokumenti konfirmon se ministri i Shtetit, Said Mohamed Mohamud, ishte larguar nga Kosova më 28 tetor, ndërsa zëvendësministrja Fartuun Abdikadir Farah ishte larguar po atë ditë, më vonë.

Ndërkaq, nëntë personat e tjerë nuk ishin paraqitur në terminalin VIP të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ku pritej të niseshin sipas itinerarit të planifikuar.

Për këtë arsye, Kosova i ka kërkuar zyrtarisht qeverisë somaleze të sqarojë rrethanat e largimit të tyre dhe të ofrojë informacione për vendndodhjen dhe sigurinë e nëntë personave.

Gjithashtu, Mogadishut i është kërkuar që autoritetet kompetente të Kosovës dhe Protokolli Shtetëror të njoftohen për çdo ndryshim të mundshëm në planet e udhëtimit të delegacionit, përfshirë qëndrimin dhe largimin e anëtarëve të tij.

Ngjarja raportohet se ka shkaktuar pasoja politike edhe në Somali. Sipas pretendimeve që qarkullojnë lidhur me rastin, dy ministra federalë janë larguar nga detyra, nën dyshimet se kanë lehtësuar udhëtimin e nëntë personave në këmbim të parave.

Pretendimet sugjerojnë se të rinjtë ishin paraqitur si punonjës të institucioneve shtetërore dhe ishin përfshirë në delegacionin zyrtar me qëllim të sigurimit të vizave për udhëtim.

Megjithatë, në dokumentin diplomatik të Kosovës nuk përmenden pagesa, shitje vizash apo përfshirja e mundshme e ministrave somalezë në këtë çështje.

Burime të njohura me rastin kanë pretenduar gjithashtu se nëntë personat më pas kanë udhëtuar drejt shteteve të tjera, ku kanë kërkuar azil. Megjithatë, destinacionet e tyre dhe statusi aktual i qëndrimit nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

As komunikata e Kosovës nuk konfirmon se ata kanë kërkuar azil apo se kanë hyrë në ndonjë shtet tjetër.

Dokumenti diplomatik dëshmon vetëm se nëntë personat janë larguar nga akomodimi i tyre në Prishtinë më 27 tetor, nuk janë paraqitur në aeroport më 28 tetor dhe se autoritetet kosovare nuk kanë arritur të konfirmojnë vendndodhjen e tyre.

Rasti ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e menaxhimit të delegacioneve zyrtare ndërkombëtare, përzgjedhjen e personave që i shoqërojnë ato dhe dyshimet për parregullsi në organizimin e udhëtimeve jashtë vendit të financuara apo mundësuara nga institucionet shtetërore.

Të Ngjashme