Lajme

“Kosova në fillim të qershorit në zgjedhje…!” – paralajmërim i fortë nga analisti Koci

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit gjatë një takimi të mbajtur të hënën.

Pavarësisht diskutimeve mes dy palëve, nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete që do të çonte drejt konsensusit për kreun e ri të shteti.

“Ne ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje me LVV-në dhe partnerët tjerë ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Kam preferuar që zëvendëskryeministër i imi të bëhet Abdixhiku dhe të fillojmë një kapitull të ri”, ka deklaruar Kurti.

Analisti politik, Melzaim Koci, paralajmëron se Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja në fillim të qershorit, pa shumë gjasa që ato të sjellin zgjidhje.

Sipas tij, partitë politike nuk kanë treguar vullnet për kompromis, duke e parë këtë si arsye kryesore për krizën aktuale dhe duke rrezikuar një situatë të ngjashme me atë të Bullgarisë, ku u mbajtën disa palë zgjedhje brenda një periudhe të shkurtër.

“Tash lirisht mund të thuhet që Kosova në fillim të qershorit shkon në zgjedhje tjera dhe me pak gjasa që ato të sjellin zgjidhje.

Asnjë nga partitë politike nuk tregoi vullnet për kompromis dhe marrëveshje politike. Kompromisi ishte një president/presidente i/e pavarur dhe jopartiak(e).

Ky vullnet nuk u hetua te asnjëra palë. Në vend të kësaj, ishim dhe jemi dëshmitarë të përpjekjeve të palëve për të fajësuar para opinionit tjetrin për shkuarje në zgjedhjet e treta parlamentare brenda 16 muajve. Kosova rrezikon të përsërisë skenarin e Bullgarisë ku në periudhën prill 2021 – prill 2023, u mbajtën 5 palë zgjedhje”, deklaroi ai për “Bota sot”.

Koci shton se mungesa e marrëveshjes politike në Kosovë pas zgjedhjeve do të ishte shumë e rrezikshme, pasi Serbia mund ta shfrytëzojë për të përhapur narrativa negative për shtetësinë dhe demokracinë e Kosovës.

Ai thekson se sistemi politik kërkon kompromis dhe u bën thirrje partive të vendosin interesin shtetëror mbi atë partiak, përndryshe do të dëmtohej seriozisht imazhi ndërkombëtar i Kosovës.

“Në rastin e Kosovës një gjë e tillë do të ishte katastrofë e vërtetë, sepse Serbia këtë do të tentojë ta materializojë duke plasuar në botë tezën e tyre të vjetër shoviniste për gjoja mungesë të kapacitetit demokratik dhe shtetformues të Kosovës.

Sistemi ynë politik dhe kushtetues është i tillë që kompromisin dhe marrëveshjen politike e ka imperativ.

Është koha e fundit që partitë tona të lënë anash interesat parciale dhe të vënë në plan të parë interesat shtetërore.

Nëse klasa jonë politike pas zgjedhjeve të qershorit nuk arrin ta kuptojë këtë si imperativ, do të dëmtojnë seriozisht kredencialet shtetërore të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar” – përfundoi ai për gazetën.

Të Ngjashme