Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur përfshirjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ndër vendet e para kontribuuese në Forcën Ndërkombëtare të Sigurisë (ISF), një strukturë e angazhuar në përpjekjet globale për paqe, stabilitet dhe siguri.
Osmani e cilësoi këtë zhvillim si një arritje të rëndësishme për Kosovën, duke theksuar se ai është rezultat i partneritetit të ngushtë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas saj, pjesëmarrja e Kosovës në këtë nismë forcon pozicionin e vendit si kontribuues aktiv në misionet dhe mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë.
Presidentja rikujtoi se pak muaj më parë kishte nënshkruar në Davos marrëveshjen për përfshirjen në “Board of Peace”, me ftesë të Presidentit amerikan Donald Trump, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të rolit ndërkombëtar të Kosovës.
Ndërkohë, “Board of Peace” ka mirëpritur edhe dy oficerë ndërlidhës nga FSK-ja, majorët Gentrit Idrizi dhe Labinot Lala. Sipas njoftimit zyrtar, angazhimi i tyre do të shërbejë për lehtësimin e shkëmbimit të informacionit ndërmjet ISF-së dhe shteteve pjesëmarrëse, si dhe për forcimin e koordinimit operacional në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare.
