Lajme

Kosova po investon në armatim, por ish-ushtaraku ngre një pyetje thelbësore

Ish-ushtaraku Hafir Hoxha ka theksuar se Kosova duhet ta ketë prioritet hartimin dhe zbatimin e Doktrinës Kombëtare të Mbrojtjes, para se të marrë vendime për investime të mëtejshme në armatim.

Në një postim, Hoxha ka vënë në pikëpyetje prioritetet e investimeve në fushën e mbrojtjes, duke përmendur blerjen e helikopterëve ushtarakë, dronëve dhe sistemeve të tjera. Sipas tij, këto vendime duhet të bazohen në analiza profesionale që marrin parasysh efektivitetin, koston, mirëmbajtjen dhe nevojat reale të vendit.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përgatitjes së popullatës, institucioneve dhe infrastrukturës kritike për situata lufte dhe fatkeqësi natyrore, duke nënvizuar se mbrojtja e Kosovës duhet të udhëhiqet nga një strategji e përbashkët dhe jo nga vendime të izoluara politike.

Postimi i plotë:

KOSOVA SË PARI DOKTRINËN E MBROJTJES, PASTAJ INVESTIMET!

Kosova, për shkak të rrethanave politike dhe të sigurisë, ende përballet me kufizime në fushën e mbrojtjes. FSK-ja po zhvillohet, ndërsa Ministria e Mbrojtjes po investon në dronë, raketa kundër mjeteve të blinduara dhe sisteme të tjera mbrojtëse.

Por, a i kemi përcaktuar qartë të gjitha nevojat dhe prioritetet tona për mbrojtjen e vendit?

Që nga viti 1999, Kosova është dashur të punojë më shumë në përgatitjen e popullatës, institucioneve, infrastrukturës kritike dhe strukturave të emergjencave për situata lufte dhe fatkeqësi natyrore.

Prioritet duhet të jetë hartimi dhe zbatimi i Doktrinës Kombëtare të Mbrojtjes, e cila përcakton kërcënimet, detyrat, kapacitetet dhe investimet e nevojshme.

Para se të vendoset për blerjen e helikopterëve ushtarakë, duhet analizuar profesionalisht nëse Kosovës i nevojiten më shumë helikopterët, dronët apo kombinimi i tyre. Duhet të krahasohen efektiviteti, kostoja, mirëmbajtja, trajnimi dhe mundësia e përdorimit në kushtet gjeografike dhe të sigurisë së Kosovës.

Nuk duhet të blejmë armatim vetëm sepse mund ta blejmë, por sepse na nevojitet sipas një plani të qartë mbrojtës.

Është sikur të investosh në mobilimin e një shtëpie pa i përfunduar themelet, muret dhe çatinë!

Mbrojtja e Kosovës nuk duhet të udhëhiqet nga vendime të izoluara politike, por nga një strategji e përbashkët, e hartuar nga ekspertë të të gjitha fushave të mbrojtjes.

Qëllimi nuk është të blejmë sa më shumë armatim, por të ndërtojmë mbrojtjen më efikase që mund ta përballojë shteti ynë, duke marrë parasysh kërcënimin nga Serbia dhe mundësitë tona reale.

Mbrojtja e shtetit është përgjegjësi kombëtare, jo projekt partiak politik.

Të Ngjashme