Lajme

“Kosova prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë”, Hoxha dhe Konjufca zotohen për koordinim më të intensifikuar mes dy shteteve

Kryediplomati i Shqipërisë Ferit Hoxha dhe homologu i Kosovës Glauk Konjfuca mbajtën sot nga Prishtina një konferencë të përbashkët për mediat.

Në fjalën e mbajtur të dy ministrat theksuan se në kohët e paqëndrueshmërive globale dhe dinamikave në rajon, duhet një koordinim më i intensifikuar mes dy shteteve tona. 

Hoxha vuri në dukje se Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë, ndërsa Konjufca kërkoi mbështetjen e Tiranës për përshpejtim të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Në diskutuam për një varg çështjesh në interesin tonë të përbashkët. Në këto kohe paqëndrueshmërive globale, koordinimi mes shteteve tona është një domosdoshmëri jetike. Ne duhet ta promovojmë rolin tonë si faktorë të stabilitetit në rajon. Krahas orientimit euro-integrues të shteteve të rajonit, anëtarësimi në NATO i shumicës së shteteve në rajonin tonë, ka qenë faktor stabiliteti. I kërkova ministrit Hoxha mbështetjen për një përshpejtim të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinohen më shumë për mbështetjen e mërgatës shqiptare kudo në botë. Përtej abetares duhet të shkojmë drejt unifikimit të sistemeve tona arsimore”, tha Konjufca në fjalën e tij.

“Kosova ka qenë pjesë e pandarë e tryezës sime në 36 vite të karrierës sime diplomatike. Ndihem thellësisht i emocionuar të jem në Prishtinë në këtë vizitë të parë në krye të MEPJ. Diskutimet që patëm sot ishin të hapura, të sinqerta, vllazërore. Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Ramë dakord që dinamikat gjeopolitike në rajon dhe në Europë kërkojnë një intensifikim të mëtejshëm të koordinimit ndërqeveritar dhe diplomatik. U angazhuam për përgatitjen e takimeve të radhës. Bashkëpunimi ynë duhet të përkthehet më shumë lehtësi dhe më pak burokraci. Diskutuam për rritjen e koordinimit të ministrive tona të jashtme në të gjitha nivelet, përfshirë përfaqësitë diplomatike”, u shpreh Hoxha

Të Ngjashme