Në Kosovë sot pritet të zhvillohet një nga seancat vendimtare në procesin gjyqësor për vrasjen e Liridona Ademajt, ku të akuzuar janë bashkëshorti i saj Naim Murseli, si dhe Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.
Seanca pritet të nisë në orën 09:30, ku palët do të paraqesin fjalët përfundimtare përpara shpalljes së vendimit.
Sipas aktakuzës, të tre të akuzuarit dyshohet se kishin rënë dakord paraprakisht për vrasjen e Ademajt, ku ekzekutimi i krimit i ishte besuar Granit Plavës, në këmbim të një pagese prej 30 mijë eurosh të premtuar nga Naim Murseli.
Prokuroria pretendon se i gjithë plani është organizuar nga vetë Murseli, i cili dyshohet se e ka motivuar veprimin për shkak të konflikteve familjare dhe martesore, që sipas aktakuzës kanë çuar në synimin për hakmarrje. Po ashtu, thuhet se fillimisht plani i ishte paraqitur Kushtrim Kokallës, i cili e kishte refuzuar pjesëmarrjen, por më pas kishte lidhur Murselin me Granit Plavën.
Në dosjen e akuzës përmendet edhe se arma e krimit dyshohet të jetë siguruar nga Naim Murseli përmes Tom Dodaj, i cili e ka pranuar fajësinë dhe është dënuar fillimisht me 5 vjet burgim, dënim i cili më pas është ulur në 3 vjet nga Apeli.
