Lajme

Kosumi: Qosja e dëshmoi se shkrimtari është edhe rojtar i ndërgjegjes kombëtare

Akademik Rexhep Qosja pas ndarjes nga jeta po vlerësëohet si një nga shtyllat kryesore të mendimit kritik dhe kulturës shqiptare. Profesori universitar, autori i disa librave nga fusha e letërsisë dhe ish-kryeministri, Bajram Kosumi, foli gjerësisht për KosovaPress për veprimtarinë shumëdimensionale të Qosjes, duke e vlerësuar si një personalitet që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsi, kulturë dhe politikë.

Kosumi tha se lajmi për vdekjen e Qosjes e preku thellë, duke e cilësuar humbjen si një boshllëk të madh për kulturën shqiptare. Sipas tij, figura e Qosjes do të mbetet një referencë e rëndësishme për brezat e ardhshëm.

Kosumi: Personazhet e Qosjes kanë qenë rruga të cilën duhet ta ndjekim edhe ne të tjerët

“Unë si student kam lexuar të gjitha librat e botuara prej tij, i kam lexuar si student, jo vetëm unë, por një numër i madh i studentëve i ka lexuar veprat e tij dhe ndikimi i tij ka qenë shumë i madh përmes librave të tij, ka qenë shumë i madh te brezi im. Personazhet e Qosjes si Xhezairi i Gjikës për mua ka qenë një simbol, një personazh- simbol rrugën e të cilit duhet ta ndjekim edhe ne të tjerët”, tha ai.

Ai kujtoi ndikimin e hershëm që veprat e Qosjes kishin pasur te brezi i tij studentor, duke theksuar se letërsia e tij nuk ishte vetëm objekt studimi, por edhe burim orientimi moral dhe intelektual.

Duke folur për periudhat e mëvonshme, Kosumi përmendi njohjen personale me Qosjen pas daljes nga burgu, në një kohë kur Kosova përballej me sfida të mëdha politike dhe identitare. Sipas tij, në vitet ’90, Qosja u shndërrua në një zë të fuqishëm kritik dhe simbol të integritetit intelektual, duke dëshmuar se roli i shkrimtarit tejkalon kufijtë e krijimtarisë letrare.

Kosumi: Qosja e dëshmonte se shkrimtari nuk është vetëm një autor, por edhe një rojtar i vetëdijes kombëtare

“Qosja e dëshmonte në këtë periudhë që shkrimtari nuk është vetëm një autor që shkruan libra, por është edhe një rojtar i ndërgjegjes, i integritetit dhe i vetëdijes kombëtare, sociale dhe madje edhe individuale. Më vonë, flas për vitet ’96 e ‘97, me profesor Rexhepin jemi ndërlidhur në aktivitete politike, kemi marrë pjesë bashkërisht në shumë tryeza, në shumë diskutime, në shumë debate, derisa në vitet në vitet ’97 e ‘98, ne kemi themeluar bashkërisht një subjekt politik që e quajtëm në atë kohë Lëvizja e Bashkuar Demokratike, , e cila rezultoi me një rol shumë të madh në procesin e negociatave për statusin e Kosovës në Rambuje, në Paris dhe më vonë”, u shpreh ai.

Ai për KosovaPress ndau edhe kujtimin e takimit të fundit me Qosjen, duke e përshkruar si një moment domethënës, ku spikaste qartësia mendore dhe përkushtimi i tij ndaj librit edhe në moshë të shtyrë.

Kosumi: Edhe pse i shtyrë në moshë ai ishte i kthjellët dhe i qartë

“Unë e takova për herë të fundit Qosjen në Panairin e Librit në Prishtinë. Ai rrinte te stenda e Toenës, ku shkova dhe unë dhe e gjeta aty dhe pastaj u ulëm dhe biseduam bashkë diku një ose dy orë, ashtu qysh zakonisht rrinë autorët te librat e tyre në stendat e panaireve të librit, por ishte shumë i kthjellët, shumë i qartë në ato që fliste edhe në atë moshë”, kujtoi ai.

Sipas tij, një fushë tjetër ku e dallon kontributin e Qosjes është edhe në fushën e kulturës duke marrë parasysh që shumë nga librat e tij si libri “Beselam pse me flijojnë” dhe “Vdekja e një mbretëreshe” janë luajtur një kohë të gjatë në skenën e Teatrit Kombëtar dhe në skena të tjera.

Kosumi: “Vdekja më vjen prej syve të tillë” i Qosjes, romani i parë postmodern në Kosovë

“Vija e dytë, fusha e dytë ku kontributi i tij për mua është i madh është romani. Sidomos romani i parë “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Është romani i parë postmodern në Kosovë, i shkruar me një frymë postmoderne dhe një roman që është lexuar jo vetëm prej studiuesve të letërsisë, por prej shumë lexuesve anembanë Kosovës edhe më gjerë, kudo që ka shqiptarë., por në letërsinë shqipe romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” është dy herë i rëndësishëm: një herë për shkollën, për shkollën letrare dhe herën e dytë, një roman që është lexuar shumë dhe në të cilin ka një qëndrim kritik ndaj Jugosllavisë, ndaj dhunës që Jugosllavia ka bërë mbi shqiptarët, qoftë ajo dhunë ideologjike, nacionale etj”, tha Kosumi.

Në një vlerësim më të gjerë, ai e konsideron Qosjen si një ndër përfaqësuesit e fundit të tipit klasik të intelektualit humanist evropian në hapësirën shqiptare, duke nënvizuar përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm ndaj dijes dhe librit.

Kosumi: Gjurmën më të madhe e la në politikën e Kosovës

“Ai ka lënë shumë trashëgimi, por pa marrë parasysh ai ka pasur një rol edhe në politikën në Kosovë, unë mendoj se trashëgimia e tij më e madhe është mënyra se si ai e ka konceptuar dhe e ka realizuar punën e tij për kulturën, për letërsinë dhe për studimet shqiptare. Unë besoj që ai është njeriu që ka punuar më së shumti mbi libra prej viteve ndoshta ’70 e këtej. Ai është njeriu që i ka plakë ditë, natë e ditë mbi libra duke punuar dhe kjo tregon edhe vëllimin e veprës së tij. Është vëllimi më i madh i një autori shqiptar në Kosovë”, tha ai

Në përmbledhje, sipas Kosumit, trashëgimia e Rexhep Qosjes nuk matet vetëm me veprat e shumta, por me modelin që ai krijoi si intelektual, një figurë që ndërtoi ura mes letërsisë, mendimit kritik dhe angazhimit shoqëror, duke mbetur një pikë referimi për brezat që vijnë.

Sot familja e tij bëri të ditur vdekjen e akademikut Rexhep Qosja.

Sipas njoftimit të familjes së tij, ceremonia e varrimit është zhvilluar në praninë e rrethit të ngushtë familjar.

Me dëshirën e të ndjerit nuk do të organizohet ceremoni pritjeje, ndërsa familja njoftoi se nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.

Të Ngjashme