Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij pas ndarjes nga jeta të akademik Rexhep Qosjes, një figure emblematike e kulturës dhe shkencës shqiptare.
Në një postim të tij në Facebook, Kurti ka shkruar se vepra e tij padyshim që do të jetojë shumë më gjatë se shekulli i tij
“Ngushëllimi na vjen prej jetës së tillë. Rexhep Qosja ndërroi jetë sot. Vepra e tij padyshim që do të jetojë shumë më gjatë se shekulli i tij. Mirëpo, fillimisht, vepra e tij nis një jetë të re sot: jetën pa autorin.”
Ai ka shkruar se dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj.
“Në akademi ishte gjuhëtar e në gjuhë ishte historian, në publik ishte shkrimtar e në shkrim ishte mendimtar, në shoqëri ishte politikan e në politikë dijetar. Midis trashëgimisë së iluminizmit evropian dhe jetëshkrimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sikurse edhe midis romantizmit dhe postmodernes, qarkullonte mahnitshëm dhe frymëzonte parreshtur.”
Duke vlerësuar përkushtimin e tij të paepur ndaj gjuhës dhe kombit, Kryeministri thekson se populli shqiptar nuk ka pasur një akademik tjetër që ka kontribuar kaq shumë dhe ka përballuar kaq shumë sulme gjatë gjithë jetës së tij.
“Populli shqiptar nuk ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin tonë e njëkohësisht aq shumë u sulmua nga politika dhe kolegët e tij. Do të mbahet mend siç ishte dhe ishte siç mbeti – i paepur.”
“Dy muaj pa i mbushur nëntë dekada që ia kanë vlejtur fort për shqiptarët mbarë. U nda nga jeta, por i rron gjallë vepra,” ka shkruar ndër të tjera Kurti.
