Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka aprovuar mbi 131 mijë kërkesa të diasporës për votim. Kështu ka njoftuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai ka njoftuar se KQZ ka përmbyllur shqyrtimin e të gjitha aplikimeve për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke aprovuar mbi 131 mijë kërkesa për votim nga diaspora.
Sipas të dhënave të KQZ-së, nga gjithsej 142,803 aplikime të pranuara, janë aprovuar 131,800, ndërsa 10,907 janë refuzuar dhe 96 janë anuluar.
“Mënyra më e përzgjedhur për të votuar, është votimi përmes postës. Nga 131,800 aplikime të aprovuara, 100,522 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,502 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 27,776 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, ka thënë Elezi.
Votimi përmes postës do të fillojë më 25 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor, ndërkaq, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, më 6 qershor organizohet votimi në përfaqësi diplomatike.
