Lajme

Krasniqi: Politika të marrë shembull nga sporti se si duhet pasur unitet

Në ditën e zgjedhjeve, kreu i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), pasi ka ushtruar të drejtën e votës, ka bërë një thirrje të fuqishme për unitet politik dhe formim sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes masive në votime si shtyllë e demokracisë, një ftesë e veçantë iu drejtua komunitetit të sportistëve për të përmbushur këtë obligim qytetar.

Krasniqi: Politika të marr shembull nga sporti për unitet

“Unë nga këto zgjedhje pres normal që të jetë një unitet, se uniteti është më i rëndësishmi për vendin tonë, sepse ne si shqiptarë kemi dëshmuar çdo herë që kur jemi të bashkuar edhe jemi shumë më të fortë. Besoj që sporti është një shembull shumë i mirë që duhet të merret edhe nga politika jonë, sepse sukseset tona, arritjet tona në sport janë pikërisht për shkak unitetit që e kemi bërë ne si bord i Komitetit Olimpik të Kosovës së bashku me të gjithë ata të cilët po japin maksimumin edhe gjithashtu edhe sportistët tonë, federatat tona sportive. Besoj që këto zgjedhje të jenë të suksesshme për të gjithë dhe më së shumti për qytetarët tonë”, u shpreh Krasniqi.

Sporti mbetet shembulli më i mirë i suksesit përmes bashkimit, një model që po kërkohet të ndiqet urgjentisht nga politika vendore.

Formimi i një qeverie stabile dhe zgjedhja e institucioneve të reja pa asnjë vonesë shihen si hapa jetikë. Arsyeja kryesore prapa kësaj ngutjeje lidhet drejtpërdrejt me Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’, një ngjarje me përmasa historike për vendin.

Krasniqi: Të mos i rrezikojmë Lojërat Mesdhetare

“Unë edhe një herë uroj që sa më shpejt të formohet qeveria e Kosovës sepse është interes i Komitetit Olimpik të Kosovës, sepse e dimë që Komiteti Olimpik i Kosovës i ka marrë Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, që shumë shpejt duhet të fillojmë edhe me infrastrukturën sportive që jemi me vonesë. Kështu që pa një qeveri stabile nuk është e mundur që të punojmë. Kështu që besoj që sa më shpejt të krijohet qeveria, të krijohet presidentja apo presidenti dhe të fillojmë me punët tona të cilat na presin. Është një rast historik për Kosovën Lojërat Mesdhetare edhe nuk duhet në asnjë moment që t’i humbasim. Pra, ky është një rast, zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për neve dhe besoj që shumë shpejt do të formohet qeveria dhe të vazhdojmë punën”, theksoi Krasniqi.

Aktualisht, procesi i përmirësimit të infrastrukturës sportive dhe ndërtimi i stadiumit kombëtar janë në vonesë. Gjatë prononcimit u paralajmërua qartë se premtimet e dhëna dhe garancitë shtetërore duhet të realizohen me çdo kusht. Pa këto investime, ekziston një rrezik real për humbjen e të drejtës së organizimit të Lojërave Mesdhetare. Kjo situatë është aq kritike saqë një dështim i tillë u konsiderua i barabartë me humbjen e një pjese të pavarësisë së shtetit.

Krasniqi: Humbja e Lojërave Mesdhetare është një humbje e një pjese të pavarësisë së shtetit tonë

“Unë mendoj që është e domosdoshme, edhe është e patjetërsueshme që duhet të realizohen sepse kemi dhënë garancione shtetërore që ato të ndërtohen. Sepse pa ndërtimin e infrastrukturës sportive, pa stadiumin kombëtar dhe pa të gjitha ato të cilat i kemi premtuar, është e pamundur që t’i marrim Lojërat Mesdhetare. Humbja e Lojërave Mesdhetare është një humbje e një pjese të pavarësisë së shtetit tonë, kështu që nuk guxojmë të rrezikojmë në asnjë moment. Edhe nuk besoj që asnjë parti apo individ ka qëllime të tilla, po kjo lyp një unitet, një bashkim që vetëm së bashku mund të arrijmë qëllimin të cilin e synojmë”, tha Krasniqi në fund.

Për të shmangur këtë skenar fatal që nuk guxon të rrezikohet në asnjë moment, kërkohet një bashkim i menjëhershëm i forcave përtej çdo interesi partiak apo individual, me të vetmin synim përmbushjen e këtij misioni madhor.

Të Ngjashme