Halil Geci ka reaguar ashpër ndaj, siç i quan ai, “linçimit politik” dhe akuzave pa prova ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në një reagim në Facebook, Geci kritikoi përdorimin e etiketimeve si “kriminel” apo “spiun i Serbisë” pa vendime gjyqësore dhe pa fakte konkrete, duke i cilësuar ato si shpifje që dëmtojnë debatin publik dhe institucionet shtetërore.
Ai sjell edhe një rrëfim nga një takim në Parkun e Gërmisë, përmes të cilit synon të ilustrojë, sipas tij, përhapjen e akuzave të pabazuara në opinionin publik.
Mes tjerash, në reagimin e tij, Geci thekson nevojën për kritikë politike të bazuar në fakte dhe institucione, duke kundërshtuar ashpër gjuhën e linçimit dhe dezinformimit në diskursin politik në Kosovë, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Ndaleni linçimin politik dhe akuzat pa prova ndaj Albin Kurtit
Shpifja nuk është gazetari, ndërsa etiketimi nuk është argument politik
Ta quash kryeministrin e Kosovës “kriminel” apo “spiun të Serbisë” pa asnjë provë, nuk është as guxim politik dhe as gazetari profesionale.
Është degradim i debatit publik, helmim i opinionit qytetar dhe përpjekje për t’i zëvendësuar faktet me shpifje.
Fatkeqësisht, në Kosovë është bërë modë që njerëzit të shpallen tradhtarë, agjentë e kriminelë pa aktakuzë, pa vendim gjykate dhe pa asnjë fakt konkret.
Kjo nuk është demokraci. Kjo është kulturë linçimi politik.
Para disa ditësh isha për shëtitje në Parkun e Gërmisë. Teksa po ecja qetë, mu afrua një burrë i gjatë dhe i bardhë.
“Më falni, a jeni ju Halil Geci?”, më pyeti.
“Po”, iu përgjigja.
“Kam dëshirë t’ju përshëndes”, tha ai me mirësjellje.
U përshëndetëm dhe filluam bisedën. Më tregoi se ishte nga Llapi, me banim në Norvegji dhe kishte ardhur për pushime në Kosovë.
“Z. Geci, unë gjithmonë i lexoj shkrimet tuaja, por lavdatat që po ia bëni Albin Kurtit nuk po më pëlqejnë”, më tha.
Vendosa ta dëgjoj deri në fund, pa e ndërprerë.
Ai nisi menjëherë me akuza:
“Kurti është dhëndër i Norvegjisë… është rekrutuar në burgjet e Serbisë… është spiun… një francez e ka rekrutuar… këto gjëra kanë për të dalë një ditë…”
Pastaj vazhdoi:
“Ai gruan e ka norvegjeze, vajzën nuk e shkollon këtu dhe nuk ka për të qëndruar gjatë në Kosovë. Ka me ikë në Norvegji…”
Akuza të tilla jemi mësuar t’i dëgjojmë përditë, pa prova, pa fakte dhe pa përgjegjësi.
E dëgjova me durim deri në fund. Kur pashë se nuk po ndalej, i thashë:
“Miku im, kur ta përfundosh ti, pastaj më dëgjon edhe mua, ashtu siç po të dëgjoj unë ty.”
“Po”, tha.
Por vazhdoi përsëri:
“Ai është i shitur te Serbia… është kriminel…”Madje më tha:
“Z. Geci, unë shoh pas bjeshkëve. Ti këto gjëra nuk i di.”
Foli gjatë me dyshime, hamendje dhe pretendime pa asnjë provë. Në fund tha:
“E mbarova.”
Atëherë e ke renin të më dëgjosh mua i thashë:
“Dëgjo, miku im. Unë nuk shoh pas bjeshkëve siç po sheh ti. Jam aq ‘budalla’ sa besoj vetëm atë që e shoh me sy, që e prek dhe që argumentohet me fakte.
Nuk mund të debatoj me dikë që pretendon se sheh pas katër bjeshkëve. Unë besoj vetëm atë që provohet.”
Pastaj ia bëra disa pyetje të thjeshta, dhe i thash më përgjigjesh vetëm “po” ose “jo”.
1. A ke dëgjuar ndonjëherë se Albin Kurti ka vrarë dikë, qoftë edhe një qen rruge? “Jo”, tha.
2. A ke dëgjuar që Albin Kurti i ka dhënë dikujt ndonjë shuplakë? “Jo.”
3. A ke dëgjuar se ka uzurpuar apo plaçkitur ndonjë pronë publike apo private? “Jo.”
4. A ke dëgjuar se ka vila, pallate apo pasuri marramendëse në dete e bjeshkë? “Jo.”
Pastaj vazhdova:
1. Kush e formoi Asociacionin/Zajednicën me kompetenca ekzekutive? Kush e nënshkroi në vitet 2013 dhe 2015 dhe kush e ratifikoi në Kuvend me 83 vota — Albin Kurti apo PDK-LDK? Pas hezitimit, tha: “PDK-LDK.”
2. Kush ua dha kishave ortodokse statusin e veçantë dhe kompetenca eksterritoriale — Kurti apo opozita? “Opozita.”
3. Kush e votoi Gjykatën Speciale dhe i quante tradhtarë ata që nuk e votonin? “Opozita.”
4. Kush ia fali Malit të Zi mbi 8 mijë hektarë tokë? “Opozita.”
5. Kush ia fali Maqedonisë mijëra hektarë tokë? “Opozita.”
6. Kush i sfidoi barrikadat në veri dhe e hoqi gurin e kufirit mbi Urën e Ibrit? “Kurti”, tha zotëria.
7. Kush ia fali Serbisë krimet, përdhunimet, masakrat, vrasjen e mbi 13 mijë qytetarëve të pafajshëm, vrasjen e 1,333 fëmijëve dhe zhdukjen e mbi 1,600 personave? “U krye ajo punë dhe u harrua”, ma ktheu ai.
Atëherë i thashë:
“Miku im nga Llapi me banim në Norvegji, unë nuk flas me hamendje. Flas për ato që i shoh, i prek dhe i argumentoj. Këto janë disa nga faktet që i shoh para syve.”
Pastaj vazhdova:
“Të thuash për dikë se është kriminel apo spiun i Serbisë janë akuza shumë të rënda. Në një shtet demokratik, këto akuza nuk bëhen pa prova, pa proces gjyqësor dhe pa vendim institucionesh.”
Ta quash dikë “kriminel” nënkupton se ai ka kryer vepër penale.
Ta quash “spiun të Serbisë” nënkupton tradhti kombëtare dhe bashkëpunim me një shtet që ka kryer krime në Kosovë.
Për akuza të tilla duhen prova.
Nëse dikush ka prova, le t’i dërgojë në prokurori. Por jo të përdorë thashetheme në rrjetet sociale, portale anonime apo slogane televizive për të helmuar opinionin publik.
Kritika politike është normale dhe e nevojshme në demokraci. Por shpifja nuk është kritikë. Propaganda nuk është argument. Linçimi publik nuk është gazetari.
Dhe kur këto akuza bëhen ndaj kryeministrit të vendit, nuk dëmtohet vetëm personi, por edhe institucioni që ai përfaqëson.
Është e habitshme forca politike e Albin Kurtit. Përballë tij janë Serbia, Rusia, Lista Serbe, komplet opozita, mediat, analistët, oligarkët, grupet e interesit, kontrabandistët ,bizneset e mëdha.
Megjithatë, ai vazhdon t’i përballojë të gjithë dhe në fund arrin të marrë mbështetjen e shumicës e 51% të qytetarëve shqiptarë.
Kjo i ngjan rrëfimeve biblike, kur Musait iu hap deti përpara dhe Zoti e shpëtoi nga Faraoni.
Kurti është i rrethuar, i fyer dhe i kërcënuar nga të gjitha anët ,por vota e popullit dhe ndihma e Zotit nuk i kanë munguar asnjëherë.
Përballë tij janë sulmet politike, propaganda, shpifjet dhe armiqtë e shumtë, por ai vazhdon të qëndrojë në këmbë, sepse beson te populli dhe te e drejta.
Ashtu si Musai që, me ndihmën e Zotit, e kaloi detin dhe shpëtoi nga Faraoni, edhe sot shumë qytetarë e shohin këtë përballje si një betejë mes së drejtës dhe padrejtësisë.
Në fund fiton ai që nuk dorëzohet. Fiton e vërteta. Fiton populli.
Në fund, një lutje:
Zoti e mbroftë të drejtin, e forcoftë Kosovën dhe u dhëntë mençuri atyre që punojnë për të ardhmen e këtij vendi. Amin.
