Lajme

“Kriza e ardhshme në Ballkan mund të mos nisë me tanke” – Kuçi paralajmëron: Mund të nisë në servera

Gurakuç Kuçi, ka paralajmëruar për një formë të re të kërcënimeve që mund të përballet Ballkani, duke vlerësuar se një krizë e ardhshme nuk do të nisë domosdoshmërisht me tanke apo mobilizim ushtarak, por mund të shfaqet përmes sulmeve kibernetike dhe operacioneve hibride.

Në një reagim të tij, Kuçi ka ngritur shqetësimin për cenimin e infrastrukturës kritike, sistemeve bankare e të telekomunikimeve, si dhe për rrezikun nga dezinformimi dhe operacionet e inteligjencës, përcjell “Bota sot”.

Sipas tij, polarizimi politik, konfliktet e pazgjidhura dhe ndikimet e jashtme e bëjnë Ballkanin veçanërisht të ekspozuar ndaj këtyre formave të kërcënimit.

Shkrimi i plotë

KRIZA E ARDHSHME NË BALLKAN MUND TË MOS NISË ME TANKE. MUND TË NISË NË SERVERA.

Europa po përgatitet për një konflikt që mund të mos shpallet kurrë zyrtarisht.

BE-ja po ndërton korridore për mobilitet ushtarak, po forcon mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe po zhvillon mekanizma të përbashkët kundër sabotazhit, sulmeve kibernetike dhe operacioneve hibride.

Por në Ballkan ende priremi ta imagjinojmë kërcënimin përmes skenarëve të shekullit të kaluar: tanke, kufij dhe mobilizim trupash.

Kërcënimi i ardhshëm mund të duket krejt ndryshe.

Një sulm kibernetik që nxjerr jashtë funksionit rrjetin energjetik në mes të dimrit.

Paralizimi i sistemit bankar ose telekomunikimeve.

Një operacion inteligjence.

Një fushatë e koordinuar dezinformimi që, brenda disa orësh, shndërron një incident lokal në krizë ndëretnike.

Ballkani ka pothuajse të gjitha dobësitë që operacionet hibride kërkojnë: polarizim politik, konflikte të pazgjidhura, ndikim të jashtëm, infrastruktura të cenueshme dhe hapësira informative të fragmentuara.

Prandaj pyetja nuk është vetëm nëse NATO mund të na mbrojë nga një kërcënim ushtarak.

Pyetja është: nëse nesër goditet infrastruktura jonë kritike, a mund ta identifikojmë sulmin, ta izolojmë dhe ta rikthejmë sistemin brenda 24 orëve?

Sepse në luftën hibride, shteti që nuk mund të rikthejë funksionimin e vet shpejt, mund ta humbasë betejën pa parë asnjë tank.

Të Ngjashme