Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen shtetërore në shënim të 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës.
Në pritjen shtetërore morën pjesë anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit, kryetarë të komunave, drejtues e zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore, ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike të shteteve mike të Kosovës, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dhe shumë personalitete të tjera.
Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Kurti, tha se data 12 qershor e vitit 1999, kur hynë trupat e para të misionit të KFOR-it në Kosovë, nuk është thjeshtë Dita e Çlirimit të një vendi, por edhe akti final i një drame historike për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë të cilës ata e ndaluan kryerjen e gjenocidit ndaj një populli dhe e çliruan një vend të tërë nga robëria, duke i hapur rrugë shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe shtetndërtimit të Republikës së Kosovës në vitet që pasuan.
“Ata iu bashkuan luftës tonë të drejtë, bartëse e së cilës ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe kauzës së drejtë e fisnike të kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës”, tha kryeministri në detyrë.
Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti në pritjen shtetërore:
E nderuara znj. Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës,
I nderuari z. Bajram Begaj, president i Republikës së Shqipërisë,
I nderuar z. Fatmir Sejdiu, ish-president i Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë, ministra e zëvendësministra,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në vendin tonë,
Të nderuar miq dhe bashkëpunëtorë,
Të nderuar invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të dashura familje të dëshmorëve të kombit,
Të nderuar drejtues e përfaqësues të institucioneve të shtetit,
Zonja dhe zotërinj,
Kam kënaqësinë e veçantë që si Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, t’ju dëshiroj mirëseardhje në këtë pritje shtetërore për Ditën e Çlirimit të Kosovës, në këtë përvjetor të 27-të.
Në kontinentin e vjetër të Evropës, aty ku që nga filozofët antikë dhe deri tek ata modern e postmodernistë, është reflektuar aq dendurisht dhe aq thellësisht për lirinë, Kosova paraqet një shembull, rast studimi e inkurajimi për raportin e një populli me liri.
Megjithëse në shekullin XX, si shekulli i dy luftërave botërore, liria e popujve dhe e vendeve ka qenë shumë e cenuar dhe shpesh e munguar, lufta për lirinë e Kosovës, është vërtetë një kapitull i veçantë në historinë bashkëkohore të Evropës.
Për dekada të tëra, Kosova ishte një nga vendet me popullsinë më të shtypur në kontinent mbi baza etnike, e ku diskriminimi publik dhe shfrytëzimi ekonomik, kufizimet e të drejtave politike e kulturore si dhe dhunimi i lirive njerëzore, ishin norma zyrtare të ekzekutuara në trajtë të krimeve shtetërore.
Kjo pasi që Kosova ishte pushtuar dhe ripushtuar disa herë nga Serbia, më 1912 e më 1918 dhe pastaj më 1944, si dhe ishte përfshirë pa vullnetin e popullit shumicë shqiptar të saj, fillimisht në Jugosllavinë e parë mbretërore e pastaj edhe në Jugosllavinë e dytë federative komuniste, që të dyja të dominuara nga Beogradi dhe nga politikat e tij hegjemoniste.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për tu çliruar, të brezave të tërë të burrave dhe grave që ishin organizuar në kryengritje të armatosura dhe në organizata të fshehta politike, që nga viti 1912 kur Kosova u pushtua prej Serbisë si Vilajet i Kosovës që ishte atëbotë dhe deri më 1989 kur Kosovës iu suprimua autonomia si krahinë federative në kuadër të Jugosllavisë, Kosova nuk arriti të shfaqej në hartën politike të Evropës si entitet i pavarur më vete.
U desh të kalonin dy luftëra botërore dhe mbi katër dekada të Luftës së Ftohtë për të ardhur deri tek rënia e Murit të Berlinit, e mandej edhe një dekadë apartheidi nën regjimin e Millosheviqit, që sundonte në Jugosllavinë e tretë, që të krijoheshin rrethanat rajonale dhe ndërkombëtare që Kosova të mund të çlirohej. Por, kur kësaj ideje i erdhi koha, asaj iu bashkuan dhjetëra vende të tjera të botës perëndimore demokratike, të cilat kontribuuan në çlirimin e Kosovës, duke sjellë më shumë liri në Evropë.
Në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, gradualisht, tema e Kosovës u kthye nga një problem i brendshëm i Jugosllavisë së tretë, në një çështje politike kombëtare dhe pastaj në një krizë ndërkombëtare, e cila kërkonte angazhim të gjerë dhe zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate.
Kësisoj, brenda harkut kohor të një dhjetëvjetëshi, Kosova u shndërrua nga një provincë e prapambetur dhe e pazhvilluar në një vend që aspironte jo vetëm të çlirohej nga Serbia fashiste, por edhe të bëhej një republikë demokratike e pavarur krahas demokracive evropiane. Dhe ja, pas shumë vullnetesh të bashkuara te rezistenca paqësore dhe te rezistenca e armatosur në vendin tonë, mbërrijmë në vitin 1999, përkatësisht në pranverën e atij viti, kur Kosova u bë çështje me prioritet të lartë në kancelaritë kryesore politike e diplomatike të Perëndimit demokratik.
Me qëllim të ndalimit të spastrimit etnik dhe gjenocidit që Serbia e Millosheviqit po kryente ndaj neve shqiptarëve në Kosovë, 19 shtete anëtare të NATO-s ndërmorën një fushatë bombarduese mbi Jugosllavi, e cila zgjati plot 78 ditë, nga 24 marsi deri më 10 qershor të vitit 1999. I quajtur operacioni Forca Aleate, ky angazhim kaq total i Perëndimit në një vend, nuk ishte parë që nga zbarkimi i Forcave Aleate në Normandi më 1944. Me këtë, ata iu bashkuan luftës tonë të drejtë, bartëse e së cilës ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe kauzës së drejtë e fisnike të kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës.
Andaj, data 12 qershor e vitit 1999, kur hynë trupat e para të misionit të KFOR-it në Kosovë, nuk është thjeshtë Dita e Çlirimit të një vendi, por edhe akti final i një drame historike për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë së cilës ata e ndalën dhe ndaluan gjenocidin ndaj një populli dhe e çliruan një vend nga robëria, duke i hapur rrugë shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe shtetndërtimit demokratik të Republikës së Kosovës në vitet që pasuan.
Në këtë kuptim, çlirimi i Kosovës dhe shtetndërtimi i saj, janë histori lavdie dhe suksesi për tërë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Andaj, kjo Ditë e Çlirimit duhet festuar së bashku. Kujtimi i kësaj historie duhet kultivuar po ashtu së bashku, mes ne vendeve dhe popujve që besojmë te vlera të përbashkëta demokratike dhe te vetë liria!
Urime Dita e Çlirimit të Kosovës për jetë e mot!
Ju faleminderit!

