Lajme

Kryeziu: Edukimi në fëmijërinë e hershme, një nga shtyllat e Strategjisë së re të Arsimit 2035+

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, mori pjesë në tryezën e diskutimit “Mbyllja e Hendekut Gjinor në Shërbimet e Kujdesit: Më Shumë Zgjedhje për Gratë”, organizuar nga Instituti Riinvest, në cilësinë e Sekretariatit të Forumit Ekonomik të Gruas.

Në këtë tryezë u diskutua për rëndësinë e zgjerimit të shërbimeve të kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit, si dhe për ndërlidhjen e tyre me mundësitë e punësimit dhe pjesëmarrjen ekonomike të grave.

Në fjalën e tij, zëvendësministri Kryeziu tha se edukimi në fëmijërinë e hershme mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe se do të jetë një prej shtyllave të Strategjisë së re të Arsimit 2035+.

“Synimi ynë është që çdo fëmijë, pavarësisht përkatësisë, vendbanimit apo rrethanave socio-ekonomike të ketë qasje në shërbime cilësore, në distancë të përshtatshme dhe me kosto të përballueshme për familjen”, tha Kryeziu.

Duke folur për veprimet e ndërmarra në zgjerimin e rrjetit të çerdheve dhe rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve në edukimin e fëmijërisë së hershme, veçanërisht gjatë pesë viteve të fundit, ai përmendi investimet në vlerë prej rreth 44 milionë euro në infrastrukturën fizike, përmes ndërtimeve të reja dhe adaptimeve në gjithsej 27 komuna.

Kryeziu veçoi gjithashtu miratimin e Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, ndërsa theksoi se Ministria e Arsimit po vazhdon angazhimet për zbatimin e Kurrikulës së re, sigurimin e cilësisë, zhvillimin profesional të edukatorëve, fuqizimin e gjithëpërfshirjes dhe forcimin e partneritetit me familjen dhe komunitetin.

Si dëshmi të progresit të arritur, zëvendësministri iu referua rezultateve të Anketës së Treguesve të Shumëfishtë 2025, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në partneritet me UNICEF-in në Kosovë.

Sipas këtyre të dhënave, pjesëmarrja e fëmijëve në edukimin e fëmijërisë së hershme është rritur më shumë se dyfish gjatë pesë viteve të fundit. Kryeziu e cilësoi këtë si rezultat të politikave të ndërmarra dhe kontributit të institucioneve e aktorëve të tjerë në këtë fushë.

Zëvendësministri falënderoi organizatorët për ftesën, diskutimin e hapur, si dhe për raportin e prezantuar dhe rekomandimet e sugjerimet e dala prej tij.

Në panelin e diskutimit morën pjesë edhe drejtori i Departamentit të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Mentor Morina, udhëheqësja e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, Visare Mujko-Nimani, koordinatorja e Forumit Ekonomik të Gruas, Saxhide Mustafa, nënkryetarja e Komunës së Suharekës, Arta Gashi, si dhe drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli.

Në kuadër të tryezës u prezantua edhe raporti i Institutit GAP, “Institucionet e kujdesit në Kosovë: Kapacitetet dhe shpërndarja gjeografike në kontekstin e punësimit të grave”.

Raporti trajton kapacitetet dhe shpërndarjen e institucioneve të kujdesit në Kosovë dhe lidhjen e tyre me mundësitë e punësimit të grave. Sipas të dhënave në nivel komunal, ekziston një lidhje mes shtrirjes së shërbimeve të kujdesit dhe nivelit të joaktivitetit të grave në tregun e punës.

Komunat ku shërbimet e kujdesit janë më të pranishme karakterizohen nga nivele më të ulëta të grave joaktive, ndërsa në komunat ku këto shërbime mungojnë më shumë, vërehet një prani më e lartë e grave jashtë tregut të punës.

Të Ngjashme