Aktuale

“Kthehen” shqiptarët e Ukrainës, ndër shekuj, komuniteti ka ruajtur gjuhën dhe traditat

Një histori emocionuese që lidh prejardhjen, gjuhën dhe traditën shqiptare pas më shumë se katër shekujsh vjen nga Pogradeci.

Një çift bashkëshortësh shqiptarë nga Ukraina, Kirano dhe Mihail Siupur, me origjinë nga fshati Karakurt i rajonit të Odesës, kanë vizituar qytetin që sipas studiuesve lidhet me rrënjët e të parëve të tyre, duke sjellë me vete gjuhën arbërore, emocionet dhe krenarinë për identitetin shqiptar.

Të parët e tyre u larguan në shekullin XVI fillimisht drejt Bullgarisë dhe më pas u vendosën në Ukrainë. Bashkëshortët Siupiur u shprehën të emocionuar, duke folur vazhdimisht në gjuhën arbërore dhe duke mbajtur me vete një portret të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

“Unë jam shqiptar nga Ukraina. Jam me gruan në Pogradec. Kemi shumë shqiptarë në Ukrainë, nga Korça dhe nga Pogradeci ata duan të ishin këtu. Ikën nga Shqipëria në Bullgari jetuan 200 vite aty pastaj nga Bullgaria ikën në Ukrainë. 200 vite dhe ne flasim shqip në Karakurt dhe vajzat dhe djemtë, vëllezërit në mëhallë flasin shqip. Tani hapëm një shkollë shqiptare në Karakurt dhe mësojnë fëmijët të flasin dhe mësojnë shqip. Ne e mbajmë kulturën e Shqipërisë me kostumet dhe bëjmë koncerte dhe kemi bërë statujë të Skënderbeut në Ukraine.

3000 shqiptarë jetojmë në Ukrainë. Kur shkoj në Karakurt ju them të vijnë në Shqipëri për bukuritë këtu dhe të takojnë shqiptarët”, tha burri.

“Kam tre femijë, dinë shqip të gjithë. Nga fshati duan të vijnë këtu por tani që ka luftë nuk mundem. Këtu gjithçka është bukur, uji, liqeni, mali”, tha gruaja.

Studiuesi Ledjan Zeqollari thotë se ky komunitet është i njëjtë si arbëreshët e Italisë dhe mjaft interesant është fakti se ende pas kaq shumë vitesh ata trashëgojnë kulturën dhe gjuhën e vjetër shqipe.

Pavarësisht se sot jetojnë në Londër pas largimit nga Ukraina për shkak të luftës, bashkëshortët thonë se duan që ti tregojnë shqiptarëve të tjerë në Karakurt për vendin e origjinës në mënyrë që ta vizitojnë së shpejti.

Të Ngjashme