Lajme

Kuçi: Serbia strehon terroristë, RT Balkan përhap propagandë kundër Kosovës

Një artikull i publikuar nga Russia Today Balkan (RT) ka nxitur reagime pasi që ai po cilësohet si përpjekje propaganduese për të devijuar vëmendjen nga zhvillimet e fundit në Kosova.

Gurakuç Kuçi, hulumtues i jashtëm në Institutin Octopus ka thënë se ky shkrim i cili trajton pretendimet për keqtrajtim të serbëve në burgjet kosovare, erdhi menjëherë pas vendimeve të gjykatave në Kosovë për dënimin e disa personave të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë në shtator 2023.

Sipas Kuçit kjo është propagandë e pastër dhe pjesë e një strategjie për të mbuluar përgjegjësinë për sulmet terroriste në Kosova.

‘’ Pas këtij veprimi dënues nga sistemi i drejtësisë në Kosovë, reagoi edhe Bashkimi Evropian, duke shprehur keqardhje që Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet në veri të Kosovës’’, ka thënë ai.

Kuçi argumenton se përmes këtij raportimi konfirmohen dy elemente kyçe.

‘’Së pari, Serbia kishte ndihmën e Rusisë për organizimin e sulmeve terroriste kundër Kosovës; dhe së dyti, Shembulli i ndërtimit të artikullit është i bërë mbi përvojën e trajtimit të të burgosurve në Rusi dhe Serbi’’, ka thënë Kuçi.

Në të njëjtën kohë Kuçi mbron qëndrimin se Kosova operon mbi standarde të larta demokratike në trajtimin e të burgosurve. Sipas tij, Shërbimi Korrektues në Kosovë funksionon mbi bazën e legjislacionit vendor dhe konventave ndërkombëtare, duke garantuar të drejtat e të dënuarve, transparencë dhe monitorim të vazhdueshëm nga mekanizma vendorë dhe ndërkombëtarë.

‘’Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale në Kosovë parasheh të drejta, procedura, programe trajtimi, beneficione dhe mekanizma kontrolli për personat e dënuar. Të gjithë të burgosurit janë brenda sistemit dhe evidencat mbahen nga Shërbimi Korrektues, ndërsa familjarët dhe avokatët kanë mundësi komunikimi dhe vizitash sipas procedurave ligjore. Po ashtu, proceset që lidhen me hetimin, gjykimin dhe ekzekutimin e sanksioneve penale janë pjesë e sistemit institucional, monitorohen dhe mund të ankimohen. Përveç tjerash, organizatat ndërkombëtare dhe vendore kanë qasje të vazhdueshme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut’’, ka thënë Kuçi.

Tutje ai e përshkruan raportimin e RT Balkan si pjesë të një “lufte informative”, që synon viktimizimin e serbëve, delegjitimimin e Kosovës dhe shmangien e vëmendjes nga aktet terroriste në veri të vendit, përkatësisht rastin e Banjskës.

‘’Qasja e pabazuar e Russia Today është paniku i Rusisë dhe i Serbisë, të cilat po zbulohen si faktorë destabilizues dhe si shtete terroriste kundër Ballkanit Perëndimor, veçanërisht kundër Kosovës. Pra, kur themi shtete terroriste, nuk po bëjmë ndonjë kalim në narracion të ashpër, por po përdorim një gjuhë të bazuar në fakte, pasi Serbia tani strehon terroristët dhe, përkundër presionit ndërkombëtar, nuk ndërmerr hapa për drejtësi’’, ka thënë ai.

Në përfundim, Kuçi vlerëson se mungesa e veprimeve konkrete nga Serbia, pavarësisht presionit ndërkombëtar, forcon perceptimin për rolin e saj si faktor destabilizues në rajon, duke thelluar tensionet në Ballkanin Perëndimor.

Të Ngjashme