Lajme

Kulla për Shehollin: Nuk më çudit aktiviteti i tij në Kosovë, ka edhe shumë të tjerë si ai

Drejtori i “Global Crisis Group”, Ilir Kulla, ka folur për akuzat e ngritura ndaj Fatmir Shehollit, i cili është përmendur në publik në lidhje me pretendime për spiunazh.

Kulla ishte i ftuar në emisionin “Matrix”, me moderator Mehmet Kalisi, ku ndër të tjera u diskutua për fenë, identitetin kombëtar, si dhe zhvillimet politike e të sigurisë në Kosovë.

Duke komentuar rastin e Shehollit, Kulla iu referua edhe historisë së familjes së tij dhe pretendimeve për lidhjet e babait të tij me ish-regjimin e Slobodan Millosheviqit në Kosovë.

“Një njeri si Sheholli, që ndodhi që babai i tij ka qenë i identifikuar me ish-regjimin millosheviqian në Kosovë… Ska qenë vetëm ai, por edhe shumë të tjerë, të cilëve iu është vrarë babai nga njësitë e Zahir Pajazitit. Ka pasur edhe komunikime duke thënë se ky është dënuar”, është shprehur Kulla.

Ai tha se, pavarësisht historisë së familjeve të tyre, pret që njerëz të tillë të mund të kthehen në atë që ai e cilësoi si “etalon të shqiptarizmit”.

“Unë s’e shoh si një njeri si zoti Sheholli të mohojë historinë e babait të vet. Pak a shumë si ai djali që shkoi në mes të Pejës dhe Fushë-Kosovës te familja Haradinaj dhe kërcënoi Ramush Haradinajn, sepse edhe atij i është vrarë babai për lidhje të hapura të asaj kohe me serbët. Por unë pres nga këta njerëz që të kthehen ndonjëherë në etalon të shqiptarizmit, por unë e pres një gjë të tillë”, ka deklaruar Kulla.

Kulla foli edhe për aktivitetin e Shehollit në Kosovë, duke thënë se pretendimet dhe akuzat që janë ngritur ndaj tij nuk e kanë befasuar.

“Identifikimi i z. Sheholli, aktiviteti i tij dhe interesat e tij në Kosovë nuk më çudit. Ka edhe shumë të tjerë dhe s’ka se si të më çudisë mua ajo”, ka thënë tutje Kulla.

Deklaratat e Kullës janë bërë në kuadër të diskutimit televiziv dhe paraqesin qëndrimin e tij lidhur me rastin. Akuzat për spiunazh dhe çdo pretendim tjetër ndaj personave konkretë duhet të trajtohen si të tilla deri në një vendim përfundimtar nga institucionet kompetente.

Të Ngjashme