Lajme

Kurti diskuton me përfaqësuesit francezë për përgatitjet e “Prishtina 2030”

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një takim me ambasadorin francez për Sportin, Damien Combredet-Blassel, ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, si dhe përfaqësues të organizimit të Lojërave Olimpike Paris 2024.

Në takim u diskutua për përgatitjet e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, përfshirë infrastrukturën, menaxhimin, prokurimin dhe financimin e projekteve.

Kurti theksoi se Franca është partnere e rëndësishme e Kosovës në organizimin e këtij eventi, duke përmendur edhe marrëveshjen e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD).

Postimi i Kurtit:

Me ambasadorin francez për Sportin, Damien Combredet-Blassel, ambasadorin e Francës në Republikën tonë, Jean-François Huchet, si dhe personalitete kyçe në organizimin Lojërave Olimpike Paris 2024, përfaqësues të France Sport Expertise, diskutuam për aspektet përgatitore, nga bashkërendimi institucional deri tek infrastruktura e nevojshme për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Morëm këshilla për veprimet dhe vendimet që duhet t’i kemi prioritet, përfshirë qeverisjen dhe menaxhimin, planifikimin e prokurimit dhe zbatimin. Caktimi i afateve dhe ndarja e përgjegjësive, sikurse kostot dhe burimet e financimit, duhet të jenë të qartësuara për rrugën përpara.

Me marrëveshjen e kredisë me AFD-në për investime infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare dhe Deklaratës së Synimit për themelimin e Komitetit të përbashkët për këto lojëra, të nënshkruara në fund të muajit korrik, Franca është partnere e rëndësishme për organizimin e “Prishtina 2030”.

Të Ngjashme