Lajme

Kurti kujton masakrat në Poklek e Studime: Këto masakra janë dëshmi e krimeve të kryera nga Serbia ndaj popullsisë civile shqiptare

Kryeministri Albin Kurti në një postim të tij në Facebook ka kujtuar Masakrën e familjes Gërxhaliu në Studime të Vushtrrisë.

Ai ka kujtuar se në atë masakër janë masakruar 13 anëtarë të kësaj familje.

Poashtu ka përmendur edhe masakrën e Poklekut ku janë vrarë e zhdukur nga forcat e armatosura serbe dhjetë civilë shqiptarë.

Postimi i plotë:

Më 31 maj 1999, forcat e armatosura të Serbisë masakruan 13 anëtarë të familjes Gërxhaliu në Studime të Vushtrrisë, nga 7 deri në 74 vjeç.

Një vit më herët, më 31 maj 1998, dhjetë civilë shqiptarë u vranë dhe u zhdukën nga forcat e armatosura serbe në Poklek të Ri të Drenasit.

Këto masakra janë dëshmi e krimeve të kryera nga Serbia ndaj popullsisë civile shqiptare, si dhe të rrugës së mundimshme të popullit tonë drejt çlirimit, pavarësisë dhe shtetësisë sonë. Ato mbeten kujtesë e përhershme e çmimit të lartë të lirisë që gëzojmë sot.

Duke përkujtuar martirët e Poklekut të Ri dhe të Studimes, riafirmojmë përkushtimin tonë për drejtësi, për ruajtjen e së vërtetës historike dhe për një Republikë gjithnjë e më të fortë.

Lavdi e përjetshme martirëve dhe dëshmorëve të kombit!

I paharruar qoftë kujtimi i tyre brez pas brezi!

Të Ngjashme