Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë sot në ditën e dytë të konferencës ndërkombëtare “Partneritet për Ndryshim: Gratë që Transformojnë Sistemet – Avancimi i Parimeve të Prishtinës 2026–2035”.
Konferenca ka mbledhur në Kosovë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, ekspertë, aktivistë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme të rajonit e më gjerë.
Diskutimet e kësaj konference përqendrohen te fuqizimi i grave dhe roli i tyre në proceset që lidhen me paqen, sigurinë dhe transformimin institucional. Një tjetër temë e rëndësishme është rritja e përfshirjes së grave në vendimmarrje dhe në proceset që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e shoqërisë.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të shënimit të 14-vjetorit të miratimit të Parimeve të Prishtinës, ndërsa synimi është që përmes diskutimeve të vlerësohet rrugëtimi i deritashëm dhe të përcaktohen prioritetet e reja për periudhën 2026–2035.
Në këtë kuadër, pjesëmarrësit pritet të trajtojnë edhe sfidat që vazhdojnë të mbeten në zbatimin e agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria”, si dhe nevojën për një rol më të madh të grave në ndërtimin e institucioneve dhe shoqërive më gjithëpërfshirëse.
