Lajme

​Kurti në 29-vjetorin e rënies së Luan Haradinajt: Lavdi luanit të lirisë së Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar datën 6 maj të vitit 1997, 29-vjetorin kur ra dëshmor Luan Haradinaj, për çlirimin e Kosovës.

Kurti tha se Luan Haradinaj ra dëshmor në luftën e paepur të kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës.

Postimi i tij i plotë:

Më 6 maj të vitit 1997, një grup luftëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të pajisur me armë e municione, po udhëtonin nëpër brezin kufitar, për të hyrë nga Shqipëria në Kosovë. Në krye të rreshtit të tyre, ishte Luan Haradinaj, një djalë vetëm 23 vjeçar, por shumë aktiv në organizimin e rezistencës së armatosur të shqiptarëve kundër regjimit kriminal të Serbisë pushtuese në Kosovë. Askush nuk e dinte që për Luanin, ajo do të ishte hera e fundit që po ecte në ato vise të ashpra të maleve shqiptare, nëpër të cilat, gjatë katër viteve të fundit, ai kishte kaluar aq shumë herë. Pranë kufirit jugosllav të vendosur dhunshëm mes shqiptarëve, rrugës nga fshati Vlahne e Hasit në drejtim të Kuzhinit, në Qafëmullar, grupi ra në pritë të patrullës ushtarake kufitare jugosllave. Luan Haradinaj u vra teksa po luftonte në këmbë, trimërisht! Ai ra dëshmor në luftën e paepur të kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës.

Lavdi Luan Haradinajt, luanit të lirisë së Kosovës!

Të Ngjashme