Lëvizja Vetëvendosje në ditën e tretë të fushatës zgjedhore ka mbajtur tubim në Kamenicë.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë tubimit zgjedhor në Kamenicë foli për projektet të ndryshme e sportive që pritet të realizohen në këtë komunë.
Ai tha se gjatë vizitës në stadium ka takuar futbollistë, të cilëve sipas tij u ka dhënë lajmin për ndërtimin e një stadiumi të ri me 2 mijë e 500 ulëse.
“Kur i takova lojtarët sot aty në stadium, ua dhashë lajmin e mirë se do ta ndërtojmë stadiumin me 2 mijë e 500 ulëse prej druri. Do të jetë stadiumi i parë i këtij lloji”, deklaroi Kurti.
Gjatë këtij tubimi, fjalën e mori edhe kryetari i kësaj komune Kadri Rrahimaj, ai përmendi punët të cilat kanë realizuar gjatë qeverisjes së tij, si dhe foli për projektet që sipas tij, do të transformojnë infrastrukturën dhe zhvillimin e qytetit në vitet e ardhshme.
Ai premtoi realizimin e projektit kufitar, në kuadër të të cilit do të asfaltohen 50 kilometra rrugë, duke lehtësuar qarkullimin dhe lidhjen e zonave të ndryshme të komunës.
“Asfaltimi i projektit kufitar, ku do të asfaltohen 50 kilometra rrugë. Qyteti do ta gjejë mbështetjen te projektet zhvillimore, përfshirë edhe stadiumin e ri. Ky do të jetë stadiumi i parë unik që do të ndërtohet nga druri, ashtu siç e duan dardanët: i gjelbër dhe i pastër. Aktualisht, janë në proces edhe dy stadiume të tjera”, tha ai.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbahen më 7 qershor.
