Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Francës, Olivier Guérot, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.
Kryeministri Kurti e falënderoi për shërbimin e tij dhe kontributin e çmuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Francës është zhvilluar në vazhdimësi, ndërsa këtë vit bashkëpunimi ynë është konkretizuar edhe më tej. Takimi dhe dreka e punës me Presidentin Emmanuel Macron në Pallatin Elize në mars, e më pas vizita e ministrit të Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, në Kosovë në korrik, u konkretizuan me pesë marrëveshje dhe instrumente që avancojnë bashkëpunimin në drejtësi, arsim e frankofoni, si dhe partneritetin financiar dhe institucional për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, tha kryeministri.
Ai theksoi se këto rezultate përbëjnë një bazë të rëndësishme për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Ndërsa, shtoi se Franca është aleate dhe partnere e rëndësishme e Kosovës dhe mbështetja e saj për rrugën tonë evropiane dhe integrimin euroatlantik mbetet me rëndësi të veçantë.
Kurti i uroi ambasadorit Guérot suksese në angazhimet e ardhshme dhe mirëseardhje përherë në Kosovë.
