Partitë politike vazhdojnë fushatën e tyre në vendet e ndryshme të Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit.
Lëvizja Vetëvendosje një një tubim të mbajtur në Pejë ka paralajmëruar “rekord të ri historik”.
Kryeministri në detyrë dhe kandidat për kryeministër, Albin Kurti, ka ndarë pamje nga tubimi i VV-së, duke thënë se partia e tij do të shpallet fituese.
‘’Të gjithë bashkë, krejt për shtet, sepse me neve me juve kemi shtet për krejt. Numri 116, qitjani pikën në mbrëmjen e 7 qershorit, atëherë kur komisionerët e vëzhguesit do t’i numërojnë votat dhe do ta shpallin atë që ne e dimë që fituese është LVV, rekord i ri historik në Kosovën e pasluftës.’’, ka thënë ai mes tjerash.
Profesor, doktor Sadri Rambaja, thotë se në fushata zgjedhore, veçanërisht kur një parti hyn si favorite, siç është rasti me VV-në, retorika e këtij lloji është pjesë e strategjisë për të rritur motivimin e elektoratit dhe për të tërhequr votuesit e pavendosur.

Sadri Rambaja
Sipas tij, qytetari duhet t’ia japë mbështetjen VV-së në mënyrë masive, kjo sepse bëhet fjalë për dhënien fund të bllokadës institucionale.
“Deklarata e kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE dhe njëkohëssht kryeministrit Albin Kurti, në tubimin zgjedor të Pejës, që gjakon një fitore të radhës të karakterit historik, duhet lexuar në dy nivele: si mobilizim elektoral i bazës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe si projekcion politik që synon të krijojë perceptimin e pashmangshmërisë së fitores.
Në fushata zgjedhore, veçanërisht kur një parti hyn si favorite, siç është rasti me VV-në, retorika e këtij lloji është pjesë e strategjisë për të rritur motivimin e elektoratit dhe për të tërhequr votuesit e pavendosur.
Megjithatë, nëse flasim për realizëm politik, respektivisht për motivet që do të duhej të kishte qytetari për t’ia dhënë mbështetjen VV-së në mënyrë masive, meqë bëhet fjalë për dhënie fund të bllokadës instiucionale që po ushtron opozita nga shkurti i 2025, atëherë çështja është më komplekse dhe kërkon trajtim më serioz”, deklaron Ramabaja për “Bota sot”.
Dinamika e fushatës, sipas Ramabajës deri më tani e favorizon Kurtin në disa drejtime.
“VV-ja vjen në këto zgjedhje nga një pozitë shumë më e fortë sesa partitë rivale. Në zgjedhjet e dhjetorit 2025 ajo mori mbi 51.1% të votave, por megjithatë, për shkak të sistemit tonë politik dhe ndarjes jo reale të vendeve për partitë politike në Parlament, respektivisht për shkak ët vendeve të rezervuara tej fuqisë reale politike për minoritetin serb [10 vende] dhe minoritetet tjera [po ashtu 10 vende], VV-ja merrë vetëm dhe 57 mandate. Sidoqoftë ky ishte rezultati më i mirë në historinë pluraliste të Kosovës dhe gjithësesi rekord i papresedent. Ndërkaq Kurti ndërkohë ka artikuluar publikisht objektivin për të kaluar në 60% të votave. Kjo do të kërkonte jo vetëm ruajtjen e elektoratit ekzistues, por edhe tërheqjen masive të votuesve nga partitë opozitare, si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”.
“Deri tani, dinamika e fushatës duket se e favorizon Kurtin në disa drejtime:
Ai hyn në garë si kryeministër në detyrë dhe me avantazhin e pushtetit ekzekutiv.
Opozita ende nuk ka prodhuar një narrativë të unifikuar alternative, rrjedhimisht vazhdo të jeët pa kauzë të mirëfilltë politike.
Mërgata konsiderohet një rezervuar i rëndësishëm votash për VV-në, ndërsa të dhënat flasin për interesim rekord në regjistrimin e votuesve jashtë vendit.
Fushata e VV-së po fokusohet te stabiliteti qeverisës, politikat sociale dhe tek narrativa e mandatit të radhës që garanton Shtetin ligjor dhe zhvillimin e hovshëm ekonomik”, deklaron Ramabaja.
Ai përmend arsyet pse mund të thuhet se fitorja e VV-së duket e besueshme dhe nuk përjashtohet një fitore me “rekord të ri historik”.
“Bllokimi i institucioneve të Republikës përmes bojkotimit të votimit për Presidentin e Kuvendit përbën një formë të abuzimit me procedurat parlamentare. Në vend që kuorumi të shërbejë si mekanizëm për garantimin e legjitimitetit institucional dhe pjesëmarrjes demokratike, ai po përdoret si instrument pengues për funksionalizimin e institucioneve të dala nga vullneti elektoral i qytetarëve.
Ky fenomen lidhet edhe me interpretimin që Gjykata Kushtetuese i ka bërë dispozitave përkatëse kushtetuese. Sipas kritikëve të këtij interpretimi, kuorumi është shndërruar nga një garanci procedurale në një mjet vetoje politike, duke krijuar mundësi që pakica parlamentare të bllokojë proceset konstituive të institucioneve. Në këtë kuptim, problemi nuk qëndron vetëm te sjellja e opozitës, por edhe te një arkitekturë juridike që, përmes interpretimit kushtetues, ka prodhuar hapësirë për bllokadë institucionale”.
“Nga një këndvështrim teorik, ky debat lidhet me dallimin ndërmjet kushtetutshmërisë procedurale dhe kushtetutshmërisë funksionale. E para fokusohet në respektimin strikt të rregullave, ndërsa e dyta në aftësinë e institucioneve për të reflektuar dhe zbatuar vullnetin politik të qytetarëve.
Në terma analitikë, sot mund të thuhet se fitorja e VV-së, madje duke e kaluar rezultatin e 28 dhjetorit 2025, duket më e besueshme, por nuk përjashtohet gjasa edhe për tezën e dytë, atë të një fitoreje me “rekord të ri historik”. Diferenca midis këtyre dy pretendimeve, nuk ndryshon realitetin faktik: atë të fitores së tretë radhas të Lëvizjes Vetëvendosje dhe me këtë edhe rijimit në afate rekord të qeverisë Kurti 4”, shprehet profesori.
Ai rendit faktorë që mund të përcaktojnë nëse VV-ja do të arrijë apo jo rezultatin që po paralajmëron kryeministri në detyrë.
“Meqë bëhet fjalë për mundësinë që VV-ja të arrijë një rezultat më të lartë se ai i zgjedhjeve të fundit dhe madje të vendosë një rekord të ri historik, atëherë disa faktorë do të jenë vendimtarë:
1. Kriza institucionale dhe perceptimi i përgjegjësisë; Paradoksalisht, bllokimi i institucioneve pres të kthehet në avantazh për VV-në. Nëse shumica e qytetarëve e perceptojnë opozitën si përgjegjëse për pengimin e funksionalizimit të institucioneve, e duket se po, atëherë VV-ja mund të përfitojë nga një votë ndëshkuese kundër partive opozitare. 2. Mobilizimi i mërgatës; Mërgata ka qenë një nga burimet më të rëndësishme elektorale të VV-së. Një pjesëmarrje e lartë e votuesve jashtë vendit mund t’i shtojë disa pikë përqindjeje rezultatit të saj. Në zgjedhjet e fundit, ky segment ishte dukshëm më afër VV-së sesa partive tradicionale. Ky fakt duket se do të përsëritet ndjeshëm edhe më 7 qershor. 3. Gjendja e opozitës; Një faktor kyç nuk është vetëm forca e VV-së, por edhe dobësia ose forca e alternativës. Duket qartë se partitë opozitare nuk ia kanë arritur të ndërtojnë një narrativë të përbashkët dhe bindëse për qeverisjen e ardhshme, atëherë shumë votues mund të preferojnë vazhdimësinë sesa eksperimentimin me një alternativë të paqartë. 4. Efekti i “rrethimit politik”; Në politikë ekziston fenomeni i njohur si rally-around-the-leader effect” [efekti i grumbullimit rreth udhëheqësit]. Sa herë që një lider perceptohet si i sulmuar nga kundërshtarët e brendshëm apo faktorë të jashtëm, një pjesë e elektoratit priret të mobilizohet rreth tij. Kurti ka ditur ta përdorë shpesh këtë mekanizëm politik, duke e paraqitur veten si përfaqësues të vullnetit popullor përballë establishmentit të vjetër dhe përballë faktorëve të jashtëm jo pa ndikim në këtë bllokim institucional. 5. Bilanci i qeverisjes; Në fund të ditës, zgjedhjet fitohen ose humben edhe mbi bazën e rezultateve konkrete. Çështje si:
rritja ekonomike,
investimet e huaja,
punësimi,
politikat sociale,
investimet në Siguri,
integrimi i veriut,
lufta kundër korrupsionit,
menaxhimi i marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë,
do të ndikojnë në vlerësimin që qytetarët i bëjnë qeverisjes së deritanishme. 6. Votuesit e pavendosur; Në zgjedhje me diferenca të mëdha, shpesh nuk vendos bërthama e elektoratit, por votuesit që nuk identifikohen fort me asnjë parti. Nëse VV-ja arrin t’i bindë këta votues se është ende bartëse e ndryshimit dhe jo pjesë e status quo-së, e duket se tashmë i ka bindur, atëherë pres realisht të zgjerojë bazën e saj”, analizon Ramabaja.
Në fund, sipas Ramabajës, kriza institucionale ka krijuar një element të ri: mundësinë që një pjesë e elektoratit ta shohë VV-në si viktimë të një bllokade parlamentare.
Ai parasheh edhe zgjerim të shumicës së fituar.
“Nëse zgjedhjet do të mbaheshin në një klimë normale politike, një rezultat afër atij të zgjedhjeve të fundit do të konsiderohej sukses për VV-në. Por kriza institucionale ka krijuar një element të ri: mundësinë që një pjesë e elektoratit ta shohë VV-në si viktimë të një bllokade parlamentare. Nëse ky perceptim konsolidohet deri në ditën e votimit, atëherë pretendimi i Kurtit për një rezultat edhe më të lartë se ai paraprak nuk mund të përjashtohet si skenar politik.
Megjithatë, nga perspektiva e analizës zgjedhore, është zakonisht më e lehtë të fitosh zgjedhjet sesa të vendosësh një rekord të ri pas një fitoreje tashmë historike. Pikërisht për këtë arsye, testi kryesor për VV-në nuk do të jetë nëse del e para, por nëse arrin të zgjerojë më tej shumicën që tashmë e ka fituar”, përfundon Ramabaja.
