Në Gjakovë është mbajtur një takim me përfaqësues dhe pjesëtarë të komunitetit egjiptian, ku është diskutuar për sfidat e punësimit, arsimit, përfshirjes në institucione dhe projektet për komunitetet. Në takim mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
“Përmes investimeve të shumta milionëshe anembanë Kosovës, ku jetojnë komunitetet joshumicë, e në veçanti komuniteti egjiptian, kemi punuar e jemi munduar që ta përmirësojmë gjendjen socio-ekonomike të tyre, duke përfaqësuar interesin publik”, tha Kurti.
Gjatë takimit u përmendën investimet në infrastrukturë, mbështetja për studentët dhe projektet që lidhen me komunitetet në Gjakovë. Mes tyre u përmend edhe projekti për krijimin e qendrës kulturore të komunitetit egjiptian në Gjakovë.
“Gjatë këtij mandati me ministrinë e Kulturës ishte e paraparë edhe shtëpia kulturore e komunitetit egjiptian pikërisht këtu në Gjakovë”, tha kryeministri në detyrë.
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se gjatë viteve të fundit është rritur edhe mbështetja për studentët nga komunitetet.
“Për secilin student nga radhët e komunitetit egjiptian, ashkali edhe rom, kemi një bursë prej 1000 eurosh si mbështetje direkte e Ministrisë së Arsimit”, tha ai.
Krasniqi foli edhe për projektin e qendrës kulturore për komunitetin egjiptian në Gjakovë.
“Në vizitën e fundit kemi dhënë zotimin që komuniteti egjiptian në Gjakovë do ta ketë shtëpinë e komunitetit egjiptian. Gjakova si qyteti ku ka numër më të madh të komunitetit egjiptian do ta ketë së shpejti edhe qendrën kulturore të komunitetit egjiptian”, shtoi ai.
Përfaqësuesit e komunitetit thanë se përveç investimeve infrastrukturore, sfidë mbetet punësimi dhe mbështetja për bizneset lokale.
“Normalisht përkrahja e bizneseve ka qenë pak më sfiduese duke marrë parasysh natyrën e bizneseve që ekzistojnë në radhët e komuniteteve, që një pjesë e tyre bie edhe më shumë në fushën e artizanateve. Mirëpo çka kemi bërë është që jemi munduar që gjatë mandatit të parë më shumë t’i asistojmë bizneset që të formalizohen”, tha Fridon Lala, deputet nga komuniteti egjiptian.
Edhe pjesëmarrësit tjerë në takim thanë se bashkëbisedimet e tilla janë të rëndësishme për adresimin e problemeve me të cilat përballen të rinjtë nga komunitetet.
“Është e rëndësishme me ardhë në këto takime edhe me i taku liderët politikë, sidomos liderët nga pakicat etnike, po në këtë rast komunitetin egjiptian, për shkak që aty dëgjohen planifikimet, punët që janë bërë por edhe me i adresu problematikat që ne si komunitet egjiptian i kemi. Sfidat me të cilat përballen më shumë të rinjtë, kuptohet që është tregu i punës dhe arsimi”, tha i riu Visar Kukaqi.
Takimi u fokusua në çështjet që lidhen me arsimimin, punësimin dhe projektet për komunitetet, me theks të veçantë te të rinjtë dhe zhvillimi kulturor në Gjakovë.
