Kryeministri Albin Kurti tha se udhëheqja e re e Serbisë duhet ta njohë realitetin e shekullit XXI se Kosova është shtet i pavarur
Në bashkëbisedim me studentët e Paris School of International Affairs (PSIA), duke folur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Kurti tha se ky proces duhet të përfshijë edhe përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, duke kërkuar dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të cilin e cilësoi si arkitektin kryesor të sulmit ku mbeti i vrarë togeri Afrim Bunjaku.
“Ky duhet të jetë gjithashtu një proces përmes të cilit qeveria e Serbisë, e cila së fundmi ka kaluar nëpër një ndryshim të udhëheqjes, të arrijë ta njohë realitetin e shekullit XXI: Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga mbi 120 shtete”, tha Kurti.
Serbia duhet ta braktisë fushatën kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë, instrumentalizimin e kundërshtimit të Rusisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, shtoi Kurti.
Ai u ndal edhe në qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor, duke thënë se zgjerimi ka marrë urgjencë të re pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Sipas tij, kjo urgjencë nuk duhet të krijojë një Evropë ku disa vende mirëpriten, ndërsa të tjerat mbeten në një rrugë të paqartë drejt integrimit.
“Çështja e tretë, e ndërlidhur ngushtë me dialogun me Serbinë, është njohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe katër shtetet anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur atë. Besojmë se ato duhet ta kuptojnë se rrethanat në të cilat lindi vendi ynë, represioni, spastrimi etnik dhe gjenocidi që përjetoi populli ynë, nuk mund të barazohen thjesht me lëvizjet separatiste me të cilat nganjëherë bëhen paralele”, tha ai.
Kryeministri Kurti po merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris,në margjinat të të cilit zhvilloi edhe takim dhe aktivitete të tjera.
